AKB-ja: Miliardat e qytetarëve të Kosovës në Trust po mbesin jashtë funksionit të zhvillimit ekonomik

16 prill 2026 | 13:13

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën se si miliardat e qytetarëve të Kosovës, të akumuluara në Fondin e Kursimeve Pensionale (TRUST), vazhdojnë të mbesin jashtë funksionit të zhvillimit ekonomik të vendit.

Sipas një reagimi, AKB-ja ka vlerësuar se deri në fund të vitit 2025, ky fond ka arritur mbi 3.2 – 3.4 miliardë euro, me rreth 250 – 300 milionë euro kontribute të reja çdo vit dhe kthim mesatar prej 4-7 për qind, që gjeneron deri në 200 milionë euro fitim vjetor.

“Megjithatë, përkundër këtij potenciali të jashtëzakonshëm financiar, ekonomia vendore mbetet e dobët, bizneset përballen me mungesë serioze të kapitalit, papunësia vazhdon të jetë e lartë, ndërsa importi dominon tregun”, është thënë në reagimin e AKB-së.

Më tutje, AKB-ja ka theksuar se është e papranueshme që një fond me përmasa miliardëshe të mos ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Nuk kërkohet rrezikim i kursimeve pensionale, por mungesa e vizionit dhe vendimmarrjes strategjike po e pengon shfrytëzimin e një pjese të këtij kapitali në projekte të sigurta dhe zhvillimore brenda Kosovës”, është thënë në këtë reagim.

AKB-ja ka kërkuar krijimin urgjent të mekanizmave ligjorë dhe financiarë për investime të sigurta brenda vendit, orientimin e një pjese të fondeve në sektorë strategjikë si: energjia, prodhimi dhe infrastruktura dhe ndërtimi i instrumenteve që mbështesin drejtpërdrejt bizneset vendore.

“Në të kundërtën, Kosova do të vazhdojë të përballet me një paradoks të rrezikshëm një fond gjithnjë e më të madh financiar, por një ekonomi gjithnjë e më të dobët dhe të varur nga importi”, është thënë në reagimin e AKB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë një vizitë…