AKB-ja ngre alarmin për një nga kërcënimet më të mëdha ndaj ekonomisë dhe sigurisë globale
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka ngre shqetësim për një nga kërcënimet më serioze ndaj ekonomisë dhe sigurisë globale.
Ai ka thënë se nëse bllokohet Ngushtica e Hormuzit, Lindja e Mesme mund të mbetet pa ushqim dhe bota pa energji.
“80% e ushqimit për Lindjen e Mesme dhe rreth 20% e energjisë globale varen nga një korridor i vetëm strategjik. Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ngre shqetësim për një nga kërcënimet më serioze ndaj ekonomisë dhe sigurisë globale. Sipas analizës së AKB-së: Mbi 80% e ushqimit për vendet e Lindjes së Mesme kalon përmes kësaj rruge. Mbi 50% e ujit të pijshëm sigurohet nga desalinizimi. Rreth 20% e energjisë globale transportohet përmes këtij korridori jetik. Një ndërprerje në këtë arterie nuk është thjesht krizë rajonale – është një tronditje globale. Pasojat do të ishin të menjëhershme, mungesë ushqimi dhe ujë i pijshëm në Lindjen e Mesme, rritje drastike e çmimeve të energjisë dhe destabilizim i tregjeve ndërkombëtare”, ka thënë Shahini.
Ai ka theksuar se sot, një pikë e vetme gjeografike mban në ekuilibër jetën ekonomike të miliona njerëzve.
“AKB-ja u bën thirrje institucioneve të diversifikojnë rrugët e furnizimit, të rrisin rezervat strategjike, të forcojnë sigurinë ushqimore dhe energjetike. Çdo përshkallëzim në këtë zonë mund të ketë pasoja të paparashikueshme për ekonominë botërore”, thotë Agim Shahini, kryetar i AKB-së.



