
AKB-ja: Pas rekordit të bizneseve të reja fshihet realiteti i hidhur: mijëra biznese të shuara dhe qindra mijëra punëtorë të papunë!
“Biznese të reja në letër, realitet i hidhur në terren. Aleanca Kosovare e Bizneseve e përshëndet faktin që në vitin 2024 janë regjistruar 12,051 biznese të reja, duke shënuar një rritje prej 5.6% krahasuar me vitin paraprak. Ky është një tregues pozitiv që tregon optimizëm dhe besim të ndërmarrësve për të investuar dhe hapur ide të reja në treg. Po ashtu, shohim me optimizëm edhe trendin e vitit 2025, ku vetëm deri në qershor janë regjistruar 6,642 biznese të reja, dhe pritet që deri në fund të vitit kjo shifër të tejkalojë 13 mijë”, është thënë në njoftimin e AKB-së, duke theksuar se bizneset e reja po rriten, por duhet parë edhe realiteti i bizneseve të shuara dhe të pushuara ndikimi në punësim dhe në ekonomi.
“Megjithatë, AKB-ja vlerëson se për të pasur një pasqyrë reale të klimës së biznesit, duhet të shohim edhe anën tjetër të medaljes: vetëm gjatë vitit 2024, rreth 4,500 biznese kanë pushuar aktivitetin ekonomik. Shumë prej tyre nuk janë çregjistruar zyrtarisht për shkak të procedurave të gjata dhe të ngarkuara, por realisht nuk operojnë më”, ka theksuar AKB-ja.
Sipas AKB-së, ky është një problem serioz, sepse nga këto biznese që janë mbyllur, mesatarisht kishin 1-3 punëtorë në biznes kanë humbur vendin e punës rreth 8 mijë punëtorë. “Na mungojnë të dhënat zyrtare se ku janë sistemuar këta punëtorë dhe a janë riangazhuar diku tjetër, si dhe sa nga bizneset e reja që regjistrohen realisht fillojnë veprimtarinë dhe krijojnë vende të reja pune. Prandaj, AKB-ja i bën thirrje Ministrisë dhe institucioneve kompetente: Të raportojnë veçmas bizneset aktive dhe ato që janë vetëm të regjistruara, por pa aktivitet; Të thjeshtojnë procedurat për çregjistrimin e bizneseve të shuara, që statistikat të pasqyrojnë realitetin; Të publikojnë të dhëna të plota mbi ndikimin real të këtyre proceseve në punësim dhe ekonomi. Vetëm duke parë të gjithë panoramën – jo vetëm regjistrimet e reja, por edhe bizneset që mbyllen dhe ndikimin e tyre te punëtorët – mund të ndërtojmë politika të qëndrueshme për zhvillimin e vërtetë ekonomik”, është theksuar në njoftimin e AKB-së, që drejtohet nga Agim Shahini.