AKB-ja: ZRrE-ja dhe Qeveria dështuan në energji, Gjykata Supreme u detyrua t’i korrigjojë gabimet e tyre!

17 nëntor 2025 | 12:08

Agjencia Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka shpallur të paligjshëm udhëzuesin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për liberalizimin e tregut të energjisë dhe ka zbuluar qartë dështimin profesional dhe institucional të ZRrE-së dhe të Qeverisë në menaxhimin e sektorit energjetik.

AKB-ja që drejtohet nga Agim Shahini, ka thënë se ky vendim tregon se rregullatori ka vepruar për vite të tëra me akte nënligjore të paqëndrueshme, të hartuara jashtë standardeve evropiane dhe pa asnjë analizë reale të ndikimit ekonomik, duke e futur tregun e energjisë në kaos dhe duke cenuar drejtat e konsumatorëve dhe bizneseve.

“ZRrE-ja ka humbur funksionin e saj bazë, mbrojtjen e interesit publik. Në vend të rregullimit profesonal, ka prodhuar pasiguri juridike, përplasje me legjislacionin dhe mjegullim të kritereve për kalimin në tregun e lirë. AKB-ja e ka ngritur këtë shqetësim vazhdimisht, por është injoruar nga një rregullator dhe qeveri që kanë marrë vendime politike, jo ekonomike. Qeveria po ashtu mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Lejimi i zbatimit të akteve të paligjshme dhe mungesa totale e mbikëqyrjes profesionale tregojnë për një qasje të rrezikshme që e dëmton stabilitetin e sektorit energjetik dhe kredibilitetin e institucioneve të Kosovës. AKB-ja kërkon urgjentisht përgjegjësi, rishikim të plotë të politikave energjetike dhe përfshirje të domosdoshme të komunitetit të biznesit në çdo proces rregullator. Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht me institucione që gabojnë në dokumentet themelore ligjore dhe që pastaj korrigjohen nga gjykatat”, citohet të këtë thënë Agim Shahini, kryetar i AKB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka fituar betejën ligjore ndaj…