AKB kërkon reagim të menjëhershëm: Shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe mbështetje të plotë institucionale për Komunën e Gjakovës
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut që kanë përfshirë Gjakovën kanë shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme tek qytetarët, duke prekur familje të shumta, shtëpi dhe pronë private. Kjo situatë e rëndë kërkon reagim të menjëhershëm, përgjegjësi dhe solidaritet të përbashkët.
Ne kemi qenë në terren, pranë qytetarëve, për të parë nga afër gjendjen reale dhe për të kuptuar nevojat urgjente që janë krijuar. Sot është e qartë se barra kryesore e kësaj fatkeqësie ka rënë mbi qytetarët tanë, të cilët kanë nevojë për mbështetje konkrete dhe të shpejtë.
Në këtë kontekst, u bëjmë thirrje bizneseve që, brenda mundësive të tyre, të tregojnë solidaritet dhe përgjegjësi shoqërore, duke iu dalë në ndihmë qytetarëve të prekur, duke kontribuar me ndihma materiale, logjistike apo mbështetje tjetër të nevojshme. Sot është koha që bizneset të dëshmojnë se janë pjesë e pandashme e komunitetit dhe se qëndrojnë pranë qytetarëve në momentet më të vështira.
Njëkohësisht, u bëjmë thirrje organeve kompetente që të veprojnë me urgjencë dhe të shqyrtojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, në mënyrë që komuna jonë të mbështetet me fonde të posaçme dhe me të gjithë mekanizmat institucionalë të nevojshëm për tejkalimin e kësaj situate dhe sanimin e pasojave të shkaktuara.
Ne shprehim gatishmërinë e plotë për t’iu përgjigjur institucioneve në çdo formë, duke vënë në dispozicion kapacitetet tona dhe duke qenë të gatshëm të kontribuojmë edhe si pjesë e shtabit emergjent, në funksion të koordinimit dhe ndihmës për qytetarët.
Kjo është koha e solidaritetit dhe veprimit. Vetëm me bashkëpunim, reagim institucional të vendosur dhe mbështetje të ndërsjellë mes qytetarëve dhe bizneseve, Gjakova mund ta përballojë këtë situatë dhe të dalë më e fortë nga kjo sfidë.



