AKK-ja dënon gjuhën fyese të MAPL-së dhe paralajmëron humbjen e 15 milionë eurove nga BE-ja

20 maj 2025 | 14:54

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ndaj gjuhës shpifëse, denigruese dhe joetike të përdorur në demantin zyrtar të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), i cili përveç që përbën një sulm të paprecedent institucional ndaj drejtorit ekzekutiv të AKK-së, Sazan Ibrahimi, përbën gjithashtu një përpjekje të hapur për të shmangur përgjegjësinë për një çështje me rëndësi strategjike për vetë komunat e Republikës së Kosovës: vazhdimësinë e financimit të Grantit të Performancës Komunale.

Në vend të një përgjigjeje profesionale dhe substanciale ndaj kërkesës zyrtare të parashtruar nga kryetari i AKK-së, Agim Aliu, më 5 maj 2025, ku kërkohet sqarim për aplikimin dhe fatin e fondeve nga thirrja e IPA III 2025 – 2027 “EU for Good Governance” – MAPL ka zgjedhur të sulmojë personalisht Ibrahimin, duke i atribuar qëndrimet e Bordit të AKK-së si “interesa personale” dhe duke aluduar në motive të ulëta që bien ndesh me etikën e komunikimit institucional dhe me respektin ndaj përfaqësuesve të 38 komunave të vendit.

“Sqarojmë qartë dhe prerazi se: 1. Çdo qëndrim, deklaratë dhe kërkesë e adresuar nga AKK-ja ndaj MAPL-së është e miratuar dhe përfaqëson vullnetin kolektiv të Bordit të AKK-së, i përbërë nga Kryetarët e Komunave anëtare dhe nuk përfaqëson në asnjë mënyrë ndonjë interes personal apo përfitim individual të askujt. 2. Përgjigja arrogante dhe denigruese e MAPL-së nuk ofron asnjë informacion konkret apo teknik në lidhje me pyetjet thelbësore të ngritura në kërkesën tonë zyrtare, që lidhen me të ardhmen e një mekanizmi financiar jetik për zhvillimin komunal – siç është Granti i Performancës. 3. Fyerjet ndaj z. Sazan Ibrahimi janë të papranueshme, të pabazuara dhe cenojnë integritetin e një personi që prej më shumë se dy dekada ka përfaqësuar me profesionalizëm interesat e Komunave të Republikës së Kosovës në raport me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Një fyerje e tillë është, në thelb, fyerje ndaj të gjitha Komunave që ai përfaqëson.  4. MAPL-ja ka dështuar të ofrojë sqarime zyrtare lidhur me statusin e aplikimit në fondet e IPA III, dhe ky dështim rrezikon seriozisht vazhdimësinë e financimit të një skeme që ka ndihmuar në përmirësimin e performancës dhe shërbimeve për qytetarët”, theksohet në reagimin e Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Bordi i AKK-së i ka bërë thirrje MAPL-së të tërheqë gjuhën fyese të përdorur në demant, të kërkojë falje publike për shpifjet ndaj Ibrahimit dhe të rikthehet në rrugën e bashkëpunimit institucional me përfaqësuesit legjitimë të Komunave të Kosovës.  “Gjithashtu u kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë që e kanë mbështetur për vite të tëra Grantin e Performancës Komunale të ndjekin me kujdes zhvillimet e fundit, pasi rrezikohen standardet e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e tranzicionit të menaxhimit të këtij Granti”, thuhet në reagimin e Bordit të AKK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vajza e Elon Musk-ut, Vivian Jenna Wilson, zbuloi në podcastin…