Akreditohen mbi 18 mijë vëzhgues, KQZ-ja ia dërgon fletëvotimet diasporës

24 shtator 2025 | 14:52

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për akreditimin e 18 mijë e 41 vëzhguesve të 51 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka bërë me dije se në mbledhjen e sotme të KQZ-së është prezantuar raporti për dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, për votim me postë për zgjedhjet e muajit të ardhshëm.

Sipas raportit, KQZ ka nisur përmes postës rreth 44 mijë pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete dhe shërbimet postare po i përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit.

“Nga ky numër i përgjithshëm, rreth 41 mijë e 879 pako janë dorëzuar në bashkëpunim me Postën e Kosovës dhe 2,050 të tjera përmes postës së shpejtë”.

“Zarfi i cili i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës”.

“Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ-ja ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ-ja, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ-s”, ka thënë Elezi për “Klan Kosova”.

Periudha e votimit përmes postës, e cila ka filluar më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor, vlen vetëm për 43,933 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti, ka…