
Aksident me fatalitet në Kamenicë, një i vdekur dhe dy të lënduar
Një aksident tragjik trafiku ka ndodhur të dielën në mbrëmje në fshatin Novosellë të Kamenicës, ku si pasojë ka humbur jetën një person, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:30 kur i dyshuari, një mashkull kosovar, duke drejtuar automjetin e tij dyshohet se nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin mbi veturë dhe ka dalë jashtë rrugës, duke u përplasur me barrierat anësore metalike.
Nga goditja e fortë, njëri nga pasagjerët në veturë, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa pasagjeri tjetër dhe vetë drejtuesi kanë pësuar lëndime trupore.
Me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar dhe ndodhet në qendrën e mbajtjes.
Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.