Aksident me fatalitet në Loxhë të Pejës, vdes një grua
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Loxhë të Pejës, ku si pasojë një grua ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime trupore. Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 07:50 autoritetet janë informuar për aksidentin, në të cilin ishin të përfshira dy vetura me targa vendore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor, ekipet e emergjencës mjekësore si dhe njësiti i zjarrfikësve.
Policia në Pejë ka bërë të ditur se si pasojë e përplasjes, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor. Fatkeqësisht, njëra nga të lënduarit nuk ka arritur t’u përballojë plagëve dhe ka ndërruar jetë, gjë që është konstatuar nga ekipi mjekësor.
Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i cili ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Rasti është duke u hetuar nga hetuesit e aksidenteve rrugore.



