Aksidenti fatal në Prizren: Ky është 29-vjeçari që humbi jetën
Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në rrugën “Tranziti i Vjetër” në Prizren, përball restorantit “Alegria”.
Viktima është Ezan Ademaj (29-vjeçar), i cili po lëvizte me motoçikletë nga drejtimi i lagjes Arbana në drejtim të rrugës Suharekë–Prizren.
Sipas rrethanave fillestare, ai dyshohet se gjatë tentativës për tejkalim të një veture “Ford Fiesta”, nuk ka mbajtur distancën e sigurisë dhe ka goditur pasqyrën e majtë të automjetit. Si pasojë e goditjes, ka humbur kontrollin mbi motoçikletën dhe është përplasur në pjesën e pasme anësore të një kamioni transportues që po qarkullonte para veturës.
Pas përplasjes, motoçiklisti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Ekipet emergjente kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, por përkundër përpjekjeve, është konstatuar se viktima kishte ndërruar jetë.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante policore dhe Prokurori i Shtetit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë në zhvillim.



