Aksion i madh i AKI dhe Policisë, arrestohet një ish-ministër
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është finalizuar me sukses një operacion kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit. Sipas tij mes të arrestuarve është edhe një ish-ministër, por nuk ka dhënp emër.
Bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe pas një hetimi disa mujor të kryer nga Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante, sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë në institucione, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës dhe korrupsion, të lidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.
Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtarin e ATK-së G.L.; si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I.
Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës. Ky grup dyshohet të ketë iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.
Ministri Sveçla ka theksuar se koha kur zyrtarët publikë mund të keqpërdornin buxhetin pa u ndëshkuar ka përfunduar. Ai përgëzoi institucionet për këtë sukses dhe vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe qytetar në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete për ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çdo formë krimi,” ka shkruar Sveçla.



