Aktakuza ndaj Mujkës dhe Muzliukajt, Haxhiu: U njoftova nga zëdhënësi, LV-ja do ta trajtojë këtë rast, do të interesohet

10 shtator 2025 | 14:38

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu është pyetur nga gazetarët për aktakuzën e ngritur sot nga Prokuroria Speciale ndaj bashkëpartiakut të saj, Faruk Mujka, si dhe Hysen Muzliukajt, që po dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ish-ministrja e Drejtësisë ka thënë se nuk ka shumë informacion për këtë rast, por premtoi se partia e saj “do të interesohet” për rastin dhe do të dalë me qëndrim.

“Derisa isha duke ardhur në konferencë u njoftova nga zëdhënësi i Vetëvendosjes për këtë. Nuk kam më tepër informacione dhe nuk mund të flas përderisa s’kam informacione. Prandaj, duke qenë se kjo konferencë është për një temë tjetër, unë ju kisha lutur që ta mbajmë këtu dhe çështje që ndërlidhen me këtë. Natyrisht që Vetëvendosje do ta trajtojë këtë rast, do të interesohet. Ju e dini që menjëherë kam pasur qëndrime në raste, ta zëmë, për Rozeta Hajdarin, për ministrin Faton Pecin, sepse i kemi parë çështjet, lëndët, pretendimet e prokurorisë. Por, për këtë çështje, unë s’kam më shumë info, ose drejtoheni te zoti Mujka ose prisni derisa të kemi më shumë informacion”,  ka thënë ajo në konferencën e sotme për media nga Kuvendi.

Mujka dhe Muzliukaj dyshohet se sa ishin zyrtarë të komunës së Mitrovicës së Jugut, i kanë shkaktuar dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit 125 mijë e 100 euro. Mujka ka qenë nënkryetar, ndërsa Muzliukaj drejtor i kadastrës në kohën kur Agim Bahtiri ishte kryetar komune.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti shqiptar në Zvicër, Korab Rashiti, ka kritikuar presidenten e…