Aktakuza për rezervat shtetërore, Zogaj i LDK-së: Skandal i paprecedent institucional

13 nëntor 2025 | 15:34

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur këtë javë aktakuzë ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj dy zyrtarëve të kësaj ministrie, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, si dhe ndaj afaristit Ridvan Muharremi.

Pas ngritjes së aktakuzës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur konferencë për medie, ku deputeti Alban Zogaj, ka theksuar disa nga gjetjet që, sipas tij, janë përfshirë në dokumentin e Prokurorisë.

“Të gjitha këto theksohen në aktakuzën që tashmë është publike. Një fakt eklatant korruptiv është se kemi të bëjmë me mallra të padorëzuara. Pra, përveç kontratave me çmime të larta e korruptive, kemi edhe mallra që nuk kanë arritur kurrë. Rreth 60 tonë grurë mungojnë tërësisht, ndonëse janë paguar paraprakisht”, ka thënë Zogaj.

Deputeti Zogaj ka thënë se në aktakuzë përmendet edhe përfshirja e personave privatë në procesin e vendimmarrjes shtetërore, pa pasur asnjë rol zyrtar.

“Prokuroria thekson se një person privat me emrin Ridvan Muharremi, pa asnjë rol zyrtar në shtetin tonë, ka negociuar kontratat, ka zgjedhur operatorët ekonomikë dhe ka marrë dokumente të brendshme institucionale, të cilat konsiderohen sekrete shtetërore. Kjo është një shkelje e rëndë institucionale dhe skandal i paprecedent për një shtet që pretendon të funksionojë sipas standardeve të larta të qeverisjes dhe transparencës”, ka thënë ai.

Aktualisht, Prokuroria Speciale nuk ka dhënë ende detaje të tjera lidhur me procedurat e mëtejshme, ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk ka dalë me ndonjë reagim publik mbi aktakuzën e ngritur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy…