Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve dhe një përgjegjësi të një kompanie rreth një kontrate në Ministrinë e Bujqësisë
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj B.D., L.Z. dhe personit juridik “L.P.” SH.P.K, për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Si pasojë e këtyre veprave, prokuroria tha se buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm financiar në vlerë prej 36 000 euro.
“Sipas aktakuzës, B.D., në cilësinë e personit zyrtar, menaxherit të kontratës “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Prishtinë”, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë periudhës 19.08.2024 – 31.12.2024, ka miratuar dhe vërtetuar në kundërshtim me ligjin realizmin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit”.
Ndërkohë, L.Z., si person përgjegjës i “L.P.” Sh.P.K., akuzohet se gjatë ekzekutimit të kontratës ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar realizim të plotë të punimeve, ndonëse punët ishin kryer vetëm pjesërisht.



