Aktakuzë ndaj Faruk Mujkës nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës

10 shtator 2025 | 12:06

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës – kryeshef i ndërmarrjes “Ibër Lepenci”, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ka qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.

Aktakuzë është ngritur edhe ndaj një personi tjetër me inicialet H.M.

“Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.M dhe H.M., për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike. Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një propozim-vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ndërkohë, i pandehuri F.M. akuzohet edhe për veprën penale ‘Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare’. Në kuadër të aktakuzës, PSRK ka propozuar: Shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve F.M. dhe H.M”, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elmedina Shterbani shpall të humbur certifikatën e furrtaris të IAPP…