Aktakuzë ndaj mjekut nga Vushtrria që dyshohet se mori para për lëshim të raporteve mjekësore
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj mjekut nga Vushtrria, A.V., pasi dyshohet se ka lëshuar raporte mjekësore të rrejshme, për të cilat ka marrë para nga 5 deri në 50 euro.
“I pandehuri akuzohet se nga data 20.07.2025 deri me datë 28.10.2025 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, me dashje në cilësinë e personit zyrtar si specialist i mjekësisë familjare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete në atë mënyrë që ka lëshuar raporte mjekësore sipas kërkesës së pacientëve duke e ditur se personat në fjalë – pacientët nuk vuajnë nga sëmundje të tilla, duke i pyetur se çfarë diagnoze t’ua shënojnë me qëllim që të njëjtit këto raporte mjekësore t’i përdorin për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin Nr.03/L-212 e Punës, po ashtu ka përshkruar barna pacientëve sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutik, ku pas lëshimit të raporteve mjekësore ka pranuar dobi pasurore – para nga pesë (5) deri në pesëdhjetë (50) euro”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Prokuroria i ka kërkuar gjykatës që të pandehurin ta shpall fajtor për veprën penale që i vihet në barrë me këtë aktakuzë dhe të njëjtit t’i shqiptojë sanksion penal të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.



