Aktakuzë ndaj tre të pandehurve në rastin e mashtrimit me kriptovaluta

22 maj 2026 | 10:57

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet: A.L., R.J. dhe V.N., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit e lartcekur me datë 17 Prill 2026, në Ferizaj, rruga, “Cen Dugolli” me dashje dhe në bashkëveprim me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke përdor emra të rreme, i vënë në lajthim të dëmtuarit E.F., A.F., dhe Rr.K, , duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT, dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital “wallet”,  ashtu që për realizmin e kësaj skeme fillimisht sigurojnë një lokal me qira dhe caktojnë takim me të dëmtuarit, dhe në lokal arrijnë që të njëjtëve t’ua marrin shumën e të hollave prej 12 mijë euro, të cilat të holla sipas planit paraprak, i fusin në një çantë me ngjyrë të gjelbert, i vendosin në një dollap brenda lokalit, në të cilin paraprakisht kishin hapur një vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës i marrin të hollat pa dijeninë e të dëmtuarve, dhe më pas largohen në drejtim të panjohur, me ç’rast pas veprimeve operative të Njësisë së Hetimeve, është zbuluar se të pandehurit, duke vepruar sipas skemës identike të përdorur më parë në Ferizaj, dhe në koordinim me njërin – tjetrin, përsëri kanë organizuar realizimin e një tranksasioni fiktiv të kriptovalutave në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik, duke siguruar lokal me qera dhe duke caktuar takim me personat e interesuar – dëmtuarit, pasi që iu ofrojnë se janë të interesuar për transfer USDT në vlerë prej 50 mijë euro, andaj me këto veprime të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”  nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, të pandehurit A.L., dhe R.J., me datë 18 Gusht 2024, rreth orës 12:00 në Ferizaj, rruga, “Agim Prodani” me dashje dhe në bashkëveprim, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve kanë vë në lajthim të dëmtuarin G.A.,  duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT, dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital “wallet”,  në atë mënyrë që fillimisht kontaktojnë me të dëmtuarin përmes rrjeteve sociale “Telegram”, “Viber” dhe në “What’s app”, e më pas takohen në rrugë dhe arrijnë që të njëjtit t’ia marrin shumën e të hollave prej 2 mijë euro, dhe përderisa i dëmtuari pret që t’iu transferohen kriptovaluta në “walletin” e tij, të pandehurit largohen duke vrapuar në drejtim të panjohur, me të cilën në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Mashtrimi, nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo e ka fituar trofeun e parë me skuadrën…