Aktakuzë për krime lufte ndaj gjashtë të dyshuarve, katër ish-gardiane në mesin e tyre
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur dy aktakuza për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, duke i dorëzuar ato në Gjykatën Themelore në Prishtinë me propozim për gjykim në mungesë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, në rastin e parë është ngritur aktakuzë ndaj personave me inicialet J.J. dhe A.S., të cilët dyshohen për përfshirje në kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Prokuroria ka bërë të ditur se aktakuzat janë dorëzuar në gjykatë për procedim të mëtejshëm, ndërsa detaje shtesë për rastet pritet të bëhen të ditura në vijim.
Ndërsa, në rastin e dytë është ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurave: L.S., D.L., S.A., B.S.
Të pandehurat akuzohen se në cilësinë e gardianeve të Burgut të Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës 1998-1999, në bashkëkryerje me tashmë të akuzuarën N.C., i kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe duke u shkaktuar lëndime trupore e dhunë psikike.



