Aktgjykimi i Kushtetueses për herët e tjera: 60 ditëshi për zgjedhjen e presidentit duhet mbyllet 30 ditë para se t’i skadojë mandati Presidentit

25 mars 2026 | 18:31

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot ka marrë vendim që t’i japë Kuvendit të Kosovës edhe 34 ditë afat për vazhdimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit, duke e shpallur kështu Dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, pa efekt juridik.

Megjithatë ky vendim i Kushtetueses, siç sqarohet në pikën 191 të aktgjykimit, rrjedh si pasojë e datës së konstituimit të Kuvendit dhe pamundësisë së shfrytëzimit të afatit 60 ditor të procedurës për zgjedhjen e presidentit deri një muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar me datën 11 shkurt 2026 dhe nuk ka pasur mundësi që afati prej 60 ditësh të shpenzohej deri me datën 5 mars, një muaj para skadimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në pikën 191 ka sqaruar se në rrethana të tjera në të ardhmen, procedura për zgjedhjen e presidentit nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe duhet të nis e të mbyllet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

“Gjykata, bazuar në leximin dhe interpretimin e paragrafit 2 të nenit 86 të Kushtetutës që përcakton se “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual,” rithekson se ky afat është detyrues dhe përfundimtar, dhe se marrë për bazë karakterin detyrues të këtij afati, i njëjti nuk mund të relativizohet”, thuhet në pikën 190 të aktgjykimit.

“Megjithatë, duke iu referuar nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet që Kuvendi shpërndahet në rastin kur “nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës”, Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë (60) ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e Presidentit. Si rrjedhojë, Gjykata rithekson se interpretimi i saj lidhur me afatet kushtetuese të përcaktuara me nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, për zgjedhjen e Presidentit, ashtu siç është specifikuar në paragrafët 153-162 të këtij Aktgjykimi, mbeten të aplikueshme në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Blerim Vokshi shpall të pavlefshme diplomën e lëshuar nga Gjimnazi…