
Aktivisti Mentor Majaci dorëhiqet nga Vetëvendosje, u kërkon falje publike miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve
Aktivisti, Mentor Majaci i cili ka ndarë disa fotografi dhe video të aktiviteteve të tij në Vetëvendosje, madje edhe me Kryetarin e kësaj partie Albin Kurti, si dhe në shoqërim me deputetin Xhelal Sveçla e Kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shkruar se jep dorëheqje nga çdo aktivitet i Vetëvendosjes.
Ai u ka kërkuar falje, miqëve, bashkëpunëtorëve si dhe të gjithë atyre që i ka ftuar më parë t’i bashkoheshin Vetëvendosjes.
Njoftimi i plotë:
Hyra në këtë lëvizje me bindjen e plotë se po i bashkohesha një alternative të sinqertë politike — që do të sillte ndryshim të vërtetë, drejtësi, barazi dhe shpresë për qytetarët e këtij vendi. Fatkeqësisht, gjatë përfshirjes sime, kam parë nga afër një realitet shumë të dhimbshëm: keqqeverisje, arrogancë, mosdëgjim të qytetarit, kapje të institucioneve dhe punësime të njëanshme partiake (Sidomos në Komunen tonë të Podujevës). E vërteta është se në vend të ndryshimit, po ripërsëritet e njëjta mendësi e vjetër që ky subjekt pretendonte se do ta luftonte.
Vetëvendosje, që dikur ishte simbol i idealizmit dhe sakrificës qytetare, sot është kthyer në një mekanizëm për pushtet të pandalshëm, përjashtues dhe interesash të mbyllura. Të rinjtë, profesionistët dhe aktivistët e ndershëm po injorohen e përjashtohen, ndërsa po përkrahen mediokriteti dhe besnikëria ndaj individëve, jo ndaj parimeve.
Unë, Mentor Majaci, jap dorëheqje nga përkrahja dhe nga çdo funksion dhe anëtarësi në “Lëvizjen Vetëvendosje”, me efekt të menjëhershëm.
Kërkoj falje publike nga çdo qytetar, mik apo bashkëpunëtor që e kam ftuar t’i bashkohet kësaj lëvizjeje, duke u bazuar në bindjen time të sinqertë të dikurshme. Ishte një gabim që tani e kuptoj qartë, dhe për të cilin marr përgjegjësi morale dhe njerëzore.
Nga sot, nuk kam më asnjë lidhje me këtë subjekt. Do të vazhdoj të jem i zëshëm, aktiv dhe i përkushtuar si qytetar i lirë që nuk rri duarkryq përballë padrejtësive.
Me respekt,
Mentor Majaci
06.09.2025