
Akuza për nxitje dhune në Gaza, Britania sanksionon dy ministra izraelit
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj dy ministrave izraelitë të krahut të djathtë ekstrem për komentet e tyre të ashpra lidhur me Gazën.
Sipas “BBC”-së, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich do të përballen me ndalim udhëtimi dhe ngrirje të pasurive si pjesë e masave të shpallura nga Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy.
Lammy ka deklaruar se të dy ministrat kanë “nxitur dhunë ekstremiste dhe shkelje serioze të të drejtave të njeriut ndaj palestinezëve”, duke i bërë ata subjekt të veprimeve ndëshkuese në përputhje me politikën e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Ky vendim është pritur me zemërim nga Izraeli, duke thënë se “është e turpshme që përfaqësues të zgjedhur dhe anëtarë të qeverisë po trajtohen me këto masa.”
Dihet se Ben-Gvir dhe Smotrich janë figura kyçe të koalicionit qeverisës në Izrael, të njohur për retorikën e tyre të ashpër kundër palestinezëve dhe për qëndrime ultra-nacionaliste. Ndërsa, masat e Britanisë, vijnë në një kohë kur ndërkombëtarët janë duke rritur presionin diplomatik mbi Izraelin për shkak të përshkallëzimit të dhunës në Gaza dhe shqetësimeve për shkelje të të drejtave të njeriut.
Ky vendim, shënon edhe herën e parë që Britania vendos sanksione ndaj ministrave të një vendi aleat si Izraeli, çka nënvizon seriozitetin e shqetësimeve për veprimet e qeverisë izraelite gjatë konfliktit në Gaza.