Akuza për spiunazh, Bojan Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim

19 maj 2026 | 15:54

Gjykata Themelore në Prishtinë pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, e ka dënuar me 6 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, lidhur me akuzën për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Kushtrim Shyti, Jevtiq për veprën penale “Spiunazhi” u dënua me 6 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje 2 mijë euro gjobë. Ndaj tij, u shpall dënim unik në kohëzgjatje prej 6 vitesh dhe gjobë me 2 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit. Ndërkaq, u urdhërua shkatërrimi i armës së gjetur dhe të gjitha gjësendet e sekuestruara konfiskohen në pajtim me ligjet në fuqi.

Jevtiqit iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në administratë publike në kohëzgjatje prej 5 vitesh pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Prezent në shpallje ishte prokurori special, Bekim Kodraliu dhe mbrojtësi i Jevtiq, avokati Millosh Nikoliq.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkurte Fejza ka ndarë një mesazh emocionues në rrjetet sociale…