
Al-Hilali, Leverkuseni dhe Tottenhami në garë për Xavin
E ardhmja e Xavi Hernandez mbetet një nga temat më të nxehta në tregun e trajnerëve. Pas largimit nga Barcelona, tekniku katalanas është një nga emrat më të kërkuar në skenën ndërkombëtare dhe interesimi nuk vjen vetëm nga Arabia Saudite.
Al-Hilal është një nga klubet që e ka shprehur hapur dëshirën për ta afruar, por në Europë kanë filluar të lëvizin gjithashtu.
Sipas ‘SPORT’, një nga pistat më serioze është ajo e Bayer Leverkusen-it, që e sheh Xavi-n si pasues të mundshëm të Xabi Alonso-s, nëse ky i fundit vendos të pranojë ofertën e Real Madridit. Filozofia e futbollit sulmues dhe posedues e Xavi-t përputhet me stilin e skuadrës gjermane, që tashmë ka vendosur objektiva të lartë në Bundesligë dhe në Evropë.
Por nuk është vetëm Gjermania. Edhe Tottenham Hotspur në Angli e ka futur emrin e ish-trajnerit të Barcelonës në listë, në rast se Ange Postecoglou nuk arrin të përmbushë pritshmëritë. Në këtë rast, Europa League do të jetë vendimtare për të ardhmen e klubit londinez dhe të trajnerit aktual.
Nga ana tjetër, Xavi nuk ka ndërmend të presë pafundësisht. Në një intervistë të fundit për ‘France Football’, ai u shpreh i gatshëm të kthehet në pankinë që këtë verë, me kusht që të bëhet pjesë e një projekti tërheqës. Nuk e përjashton as mundësinë për të drejtuar një kombëtare, duke synuar trofetë më të mëdhenj si Champions League, Europiani apo Kupa e Botës.
Megjithëse largimi nga Barcelona erdhi mes kritikash, Xavi është krenar për trashëgiminë që ka lënë. Emra si Lamine Yamal, Fermin Lopez, Pau Cubarsí dhe Alejandro Balde – të gjithë të promovuar gjatë kohës së tij – janë tashmë pjesë e projektit të Hansi Flick, duke dëshmuar punën e bërë në të rinjtë.