Al-Ittihad ofron pagë mujore 75 milionë euro për Salahun
Sulmuesi egjiptian tashmë është lojtar i lirë dhe po tërheq interesim të madh nga klubet e Arabisë Saudite, të cilat janë të gatshme t’i ofrojnë një kontratë të jashtëzakonshme financiare.
Liverpooli ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Salah për t’i dhënë fund bashkëpunimit mes palëve këtë verë, duke mbyllur kështu një kapitull të suksesshëm nëntëvjeçar në “Anfield”.
Sipas raportimeve nga Arabia Saudite, klubi saudit Al-Ittihad është i gatshëm të bëjë një ofertë të jashtëzakonshme për yllin egjiptian.
Bëhet fjalë për një kontratë trevjeçare me vlerë prej 65 milionë funtesh neto në sezon, që përkthehet në rreth 75 milionë euro në vit.
Nëse marrëveshja finalizohet, Salah do të përfitonte gjithsej 195 milionë funte, apo afërsisht 225 milionë euro vetëm nga paga bazë gjatë tre viteve të kontratës.
Kjo shumë nuk përfshin bonuset e mundshme, të drejtat e imazhit apo të ardhurat komerciale që mund të gjenerohen nga bashkëpunimi me klubin saudit.
Një transferim i tillë do të shënonte një rritje të konsiderueshme të të ardhurave të futbollistit krahasuar me pagën që ai përfitonte gjatë viteve të tij te Liverpooli.
Interesimi i Al-Ittihad për Salah nuk është i ri, klubi saudit e ka ndjekur prej kohësh reprezentuesin e Egjiptit dhe kishte tentuar ta transferonte që në vitin 2023.
Në atë kohë, Liverpooli refuzoi një ofertë të raportuar prej 175 milionë eurosh, duke vendosur ta mbante lojtarin në skuadër.
Tani situata ka ndryshuar rrënjësisht, pasi Salah është i lirë të negociojë me çdo klub dhe Al-Ittihad konsiderohet favoriti kryesor për të siguruar shërbimet e tij.
Megjithatë, interesim për sulmuesin kanë shfaqur edhe disa klube të tjera të njohura.
Sipas raportimeve, në garë për nënshkrimin e tij mbeten gjithashtu Roma dhe Juventusi nga Italia, Fenerbahçe nga Turqia, si dhe skuadra amerikane San Diego FC, e cila synon të bëjë një goditje të madhe në tregun e transferimeve.
Në sezonin 2025/26, egjiptiani regjistroi shtatë gola dhe shtatë asistime në 27 paraqitje në Ligën Premier, para se të konfirmohej zyrtarisht largimi i tij nga skuadra angleze.
Tashmë mbetet të shihet nëse Al-Ittihad do të arrijë ta bindë një nga futbollistët më të mirë të dekadës së fundit që të vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite, apo nëse Salah do të zgjedhë një tjetër aventurë në futbollin evropian ose amerikan.



