
Al-Khelaifi ‘thumbon’ Mbappé-në: Është më e lehtë të shënosh në Spanjë sesa në Ligue 1
Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, ka dhënë një intervistë për kanalin televiziv katariot Al Kass, ku ka folur për triumfin e fundit të klubit në Ligën e Kampionëve dhe për disa prej figurave kryesore si Luis Enrique dhe Dembélé.
Por në të njëjtën kohë, ka lëshuar edhe një ‘thumb’ të tërthortë ndaj Kylian Mbappé-së, ish-yll i skuadrës që vendosi të largohej nga Parisi për të fituar Champions-in me Real Madridin.
Pa e përmendur me emër, Al-Khelaifi u dërgoi një mesazh atij dhe gjithë atyre që dyshonin se një skuadër franceze mund të fitonte Ligën e Kampionëve:
“Është më e lehtë të shënosh gola në La Liga sesa në Ligue 1. Luis Enrique e ka përfaqësuar me krenari Ligue 1 dhe e ka mbrojtur përballë tifozëve të Premier League, që e quajnë atë ‘kampionat fermerësh’. Ne eliminuam Arsenalin, Manchester City-n, Liverpool-in dhe Aston Villa-n në Champions këtë sezon”.
Al-Khelaifi foli edhe për lojtarin që shumëkush e konsideron si ‘yllin’ më të madh aktual të skuadrës:
“Ousmane Dembélé e meriton Topin e Artë, jo vetëm për aftësitë e tij teknike, por edhe për personalitetin e tij. Ai jep gjithçka brenda dhe jashtë fushës”.