AL-Petrol kalon në duart e Shaip Mikullovcit, fillon vlerësimi nga AKK-ja

07 tetor 2025 | 17:56

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur procedurën e vlerësimit të bartjes së 100 për qind të aksioneve të Al-Petrol nga CDI-Kosovo, në pronësi të biznesmenit nga Vushtrria, Shaip Mikullovci.

Kompania CDI-Kosovo në pronësi të biznesmenit nga Vushtrria, Shaip Mikullovci, ka blerë 100 për qind të aksioneve të njërës prej gjigantëve të tregut të derivateve të naftës në vend, ‘Al Petrol’. Marrëveshja për shitblerjen e 100 për qind të kapitalit të Al-Petrol mes dy kompanive është realizuar më 21 shkurt të vitit 2025, sipas një dokumenti të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK). Por transferimi formal i pronësisë ende nuk është finalizuar, raporton Paparaci.

Për të realizuar bartjen e pronësisë, Al Petrol ka parashtruar muajin e kaluar kërkesë për përqendrim ekonomik – marrje nën kontroll të aksioneve të kompanisë – nga CDI-Kosovo. Siç kishte raportuar portali Nacionale vitin e kaluar, marrëveshja mes dy kompanive është finalizuar për një çmim prej rreth 60 milionë eurosh. “Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës, me datë; 11.09.2025, ka pranuar kërkesën me Nr. Prot. 427/25-11/H, lidhur me Njoftimin e Përqendrimit, të cilin e përfaqëson Znj. Rea Kryeziu Përfaqësuese Ligjore,, Përqendrim lidhur me marrjen e kontrollit të plote dhe të vetëm nga CDI-Kosovo L.L.C mbi 100% të kapitalit AL-Petrol SH.P.K”, thuhet në një njoftim të Autoritetit të Konkurrencës, të lëshuar të enjten e 2 tetorit. Sipas Njoftimit të Përqendrimit, dy kompanitë kanë lidhur marrëveshje për shitblerjen e kapitalit më 21 shkurt të vitit 2025.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Izmi Zeka, i…