Alarm në hapësirë: Mesazhi që tronditi astronautët e Artemis II

03 prill 2026 | 23:18

Ekuipazhi i misionit Artemis II i NASA-s ka zbuluar se mori një mesazh alarmues në momentin kur anija e tyre kaloi të ashtuquajturën “pikë pa kthim” gjatë udhëtimit drejt Hënës.

Kapsula Orion, me astronautët Reid Wiseman, Christina Koch, Victor Glover dhe Jeremy Hansen, është tashmë në rrugë drejt Hënës pasi realizoi manovrën e rëndësishme të quajtur “translunar injection burn”. Kjo ndezje e motorëve e nxjerr anijen nga orbita e Tokës dhe e vendos në trajektoren drejt Hënës.

Por vetëm 20 minuta pas kësaj manovre, ekuipazhi mori një mesazh emergjent për një “rrjedhje të mundshme në kabinë”.

“Morëm një paralajmërim për ‘rrjedhje të dyshuar në kabinë’,” tha astronauti Hansen në intervistën e parë live nga hapësira. “Kjo të bën menjëherë të mendosh: a duhet ta ndërpresim misionin, të veshim kostumet dhe të gjejmë mënyrën për t’u kthyer në Tokë brenda një dite?”

Një rrjedhje në kabinë është një problem serioz, pasi mund të rrezikojë strukturën e anijes dhe të ekspozojë ekuipazhin ndaj vakumit të hapësirës. Fatmirësisht, pas verifikimeve rezultoi se ishte vetëm një anomali dhe presioni në kabinë mbeti normal.

“Hjustoni konfirmoi se gjithçka ishte në rregull dhe ne vazhduam drejt Hënës,” shtoi Hansen.

Nisja e misionit shënoi fillimin e një udhëtimi gjigant prej rreth 1.1 milion kilometrash rreth anës së errët të Hënës. Kjo është hera e parë pas më shumë se 50 vitesh që njerëzit nisen drejt Hënës.

Gjatë 24 orëve të para, Orion qëndroi në orbitën e Tokës ndërsa ekuipazhi kreu kontrolle sigurie dhe pushoi. NASA bëri të ditur se motorët kryesorë u aktivizuan për rreth gjashtë minuta, duke siguruar shtytjen e nevojshme për vazhdimin e udhëtimit.

Në ditën e gjashtë, anija do të arrijë pikën më të largët nga Toka, duke kaluar edhe rekordin e vendosur nga Apollo 13, çka do t’i bëjë këta astronautë udhëtarët më të largët në histori.

“Ky nuk është një mision i zakonshëm,” tha komandanti Wiseman. “Dërgimi i katër njerëzve kaq larg është një përpjekje gjigante.”

Ekuipazhi tregoi gjithashtu për disa sfida të vogla, si temperaturat e ulëta në kabinë dhe mënyrat e pazakonta të gjumit në mungesë graviteti.

Pas rrethimit të Hënës, Orion do të nisë kthimin drejt Tokës, një udhëtim që pritet të zgjasë katër ditë. Gjatë kësaj kohe, astronautët do të kryejnë teste të rëndësishme sigurie, përfshirë mbrojtjen nga rrezatimi diellor.

Në hyrje në atmosferë, anija do të arrijë shpejtësi deri në 40,000 km/h përpara se të ulet në Oqeanin Paqësor, ku do të pritet nga ekipet e shpëtimit.

Ky mision synon të hapë rrugën për një ulje në Hënë në vitin 2028 – e para që nga viti 1972. Megjithatë, ai mbart rreziqe më të larta, pasi Orion përdor teknologji relativisht të reja që nuk janë testuar më parë me ekuipazh në hapësirën e thellë.

Në rast dështimi të sistemeve kritike pas largimit nga orbita e Tokës, kthimi do të ishte shumë më i vështirë. Në skenarin më ekstrem, dështimi i shumë sistemeve mund ta linte anijen pa mundësi për të ndryshuar kursin – një situatë me pasoja potencialisht fatale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Situata ushtarake në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar këtë të…