Alarm te Argjentina, Nico Paz rrezikon Kupën e Botës
Kombëtarja e Argjentinës po përballet me një shqetësim të madh vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës 2026. Mesfushori i talentuar i Argentinës, Nico Paz, vazhdon të vuajë nga një dëmtim në gju dhe gjendja e tij është më serioze sesa ishte menduar fillimisht. Si pasojë, pjesëmarrja e tij në Botëror mbetet në dyshim.
Sipas raportimeve të mediave argjentinase, stafi teknik i drejtuar nga Lionel Scaloni po monitoron nga afër rikuperimin e lojtarit dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të zëvendësohet para fillimit të turneut.
Në rast se Paz nuk arrin të rikuperohet në kohë, kandidati kryesor për të marrë vendin e tij është Emiliano Buendia. Mesfushori ofensiv është njoftuar të qëndrojë në gatishmëri dhe madje ka shtyrë planet e pushimeve, duke pritur një thirrje të mundshme të minutës së fundit nga kampi argjentinas.
Një lajm që padyshim ka ngritur alarmin te kampionët në fuqi të botës, të cilët shpresojnë që një nga talentet më premtuese të futbollit argjentinas të jetë gati për sfidën më të madhe të verës.



