Alarmohet për vigjilencë në hulumtimin e aksidenteve të lehta në komunikacion

14 nëntor 2018 | 15:29

Rritja enorme e aksidenteve të komunikacionit me dëme të vogla materiale por me lëndime të rënda trupore po konsiderohet si shqetësim i madh për Industrinë e Sigurimeve, por edhe për qytetaret që i kanë shkaktuar ato, pasi që  një numër i madh i tyre duhet të përballen me institucionet e drejtësisë.

Kështu u tha të mërkurën në tryezën e organizuar nga Shoqata e Sigurimeve e Kosovës në Prishtinë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, zyrtarë të Policisë së Kosovës, përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës, drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, drejtori i Mjekësisë Ligjore, por edhe drejtues dhe përfaqësues të kompanive të sigurimeve që operojnë në vendin tonë.

Në hapjen e takimit, drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku,  ka thënë se bazuar në të dhënat që posedojnë nga kompanitë e sigurimeve veç e veç por edhe në të dhënat publike të Policisë së Kosovës, shihet se në vazhdimësi ka rritje të aksidenteve më dëmtime minimale materiale.

“Ta zëmë, ne kemi pasur raste kur dëmi në makinë nga aksidenti është 100 euro, e dëmi shëndetësor mbi 5000 euro, apo edhe më shumë euro. Shpesh herë nuk përputhet diagnoza apo edhe incizimet me të dhënat e personit në fjalë. Nuk janë të vogla rastet kur qytetarët sjellin nëpër kompani incizime të vjetra të personave të tjerë, madje ato as nga afër nuk përkojnë me diagnozën e qytetarit i cili aplikon për rimbursim në kompani të sigurimit. Fatkeqësisht janë në rritje kërkesat e qytetarëve që aplikojnë për rimbursim me diagnozë të njëjtë, e që fatkeqësisht disa nga to është e vështirë të verifikohen pastaj nga ne”, ka thënë Mazreku.

Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka deklaruar se Gjykatat e Kosovës nuk po i sjellin të gjitha rastet e aksidenteve për autopsi. Sipas tij, kjo është tejet shqetësuese dhe gjithmonë gjykatat arsyetohen se familja nuk dëshiron të bëjë autopsi.

Ai pos tjerash foli edhe për sigurinë në komunikacion. Sipas tij, mbi 90 për qind të rasteve të vdekjeve në komunikacion janë si pasojë e mosvendosjes së rripit të sigurisë.

Edhe Basri Lenjani, drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Emergjente të Kosovës, nuk e ka përjashtuar mundësitë e keqpërdorimeve. Ai ka ftuar të pranishmit që të flasin konkretisht me emra në rastet kur dyshohet se diagnoza që ia ka shënuar mjeku nuk përputhet me gjendjen reale të personit që ka qenë pjesë e aksidentit.

Po ashtu gjatë prezantimit edhe Samedin Mehmeti nga Policia e Kosovës ka folur për procedurat e policisë në rastet e aksidenteve. Gjithashtu për procedura ka folur edhe Sebahate Muharremi nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës

Rekomandimet e dala pas tryezës:

1. Krijimi i databazës elektronike të përbashkët QKUK, PK, Sigurime, Prokurori.
2. Kujdesi i shtuar në dokumentacion mjekësor nga QKUK e QKMF, brenda 24 orëve.
3. Ripërtëritja e listës së ekspertëve gjyqësorë që japin mendime/vlerësime mbi lëndimet në aksident: Përcaktimi i kushteve dhe kritereve për licencim.
4. Rishikimi i kritereve – tabelave mjekësore mbi lëndimet të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
5. Kampanjat e përbashkëta vetëdijësuese për përgjegjësitë, organizuar në bashkëpunim: SHSK, QKUK, QKMF, PK, KPK, KGJK, MPB.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zjarri që kaploj Kaliforninë ka marrë jetën e së paku…