
Albian Hajdari lë Zvicrën për Kosovën, Ademi i uron mirëseardhje
Futbollisti i ri i Hoffenheimit, Albian Hajdari, ka hequr dorë përfundimisht nga mundësia për ta përfaqësuar Zvicrën. Ai ka zgjedhur Kombëtaren e Kosovës.
Lajmin e ka bërë me dije presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.
“Kombëtarja e Kosovës ka fituar një zemër të re në fushë dhe një muri të ri në mbrojtje. Qendërmbrojtësi i talentuar i Hoffenheimit, Albian Hajdari, ka marrë vendimin e madh për t’u bashkuar me fanellën dardane. Albiani iu bashkua rrënjëve të tij, duke u kthyer në shtëpinë e tij, Kosovën. Hajdari, i rritur në futbollin zviceran e me një karrierë premtuese në Bundesligë, tani ka zgjedhur që të shkruajë historinë e tij me fanellën dardane. Vendimi i tij është një mesazh i qartë: Kosova është foleja e ngrohtë dhe zemra gjithmonë rreh më fort për atdheun. Mirë se vjen, Albian! Kosova është më e fortë me ty!”, ka shkruar Ademi në “Facebook”.
Mbrojtësi i rritur në Zvicër pritet të jetë në dispozicion të selektorit Franco Foda për dy ndeshjet e tetorit, ndaj Sllovenisë dhe kundër Suedisë në kualifikimet e Botërorit 2026.