
Albin Kurti në SHBA, vizitë pa dyer të hapura, vetëm hije
Shkruan: Hisen Berisha
Kur liderët botërorë u mblodhën në Nju Jork për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Albin Kurti mbërriti në Shtetet e Bashkuara me ambicie për ta shfaqur Kosovën në skenën ndërkombëtare. Por vizita e tij u shndërrua në një pasqyrë të qartë të izolimit dhe dobësisë. Ai u kthye pa asnjë takim zyrtar në Uashington, pa asnjë derë të hapur te vendimmarrësit amerikanë dhe pa respektin që një partner i vërtetë i Shteteve të Bashkuara duhet ta gëzojë.
Çfarë solli Kurti në Kosovë? Fotografi me figura që dikur kishin një rol, por që sot nuk kanë asnjë peshë politike. Personalitete nga margjinat e jetës publike amerikane, të tejkaluara nga koha dhe të parëndësishme për vendimmarrjen në Uashington – njerëz që nuk ndikojnë më në asgjë, por që u përdorën prej tij si skenografi për të inskenuar një sukses diplomatik që nuk ekzistoi.
Ky spektakël nuk ishte i padëmshëm. Ai u financua nga taksat e qytetarëve të Kosovës dhe u keqpërdor për qëllime të propagandës partiake. Ishte një lojë ideologjike, e importuar nga majtizmi amerikan i financuar nga Soros, që Kurti e paraqet si strategji diplomatike. Ai pretendon se përmes këtyre figurave periferike po “sfidon” Presidentin Trump, duke ia “marrë kalanë nga brenda”, por e vërteta është e thjeshtë: dyert e Uashingtonit zyrtar i ishin mbyllur, dhe atij i mbetën vetëm korridoret e parëndësishme të periferisë politike.
Akoma më e rëndë ishte shfrytëzimi i disa individëve që dikur dhanë kontribut për çështjen shqiptare në SHBA, por që sot, të lodhur dhe të thyer në moshë, u përdorën për propagandën e qeverisë së Kosovës. Kurti i poshtëroi duke iu imponuar sjellje servile, me një hipokrizi të tejskajshme, duke i shtyrë në deklarata të stisura dhe fotografi të inskenuara – nën çdo standard etik e njerëzor. Ata që e njohin jetën protokollare e dinë se si manipulohet me fotografi ceremoniale dhe deklarata boshe – për t’ia shitur publikut një realitet krejtësisht të rremë.
Edhe më cinike ishte përpjekja për të rishkruar historinë. Përmes këtyre takimeve margjinale, Kurti mundohet të errësojë kontributin e gjigantëve të vërtetë të lëvizjes shqiptaro-amerikane – Federatës PanShqiptare “Vatra”, Harry Bajraktarit, Rrustem Gecit, Gjergj Belushit, Elmi Berishës personaliteteve të shquara si: Bob Dole, Eliot Engel, Xhim Gjema, Xhozef Diogardi dhe qindra veprimtarëve të tjerë që e bënë Kosovën një kauzë të kombit në Amerikë. Ata ishin themeli i mbështetjes së Uashingtonit për Kosovën, ata siguruan mbështetjen dypartiake që çoi në pavarësi. Kurti, përmes fotografive folklorike, nuk mund të ndryshojë këtë të vërtetë.
Kjo vizitë tregoi qartë degradimin e plotë të qeverisjes së tij: një kryeministër që nuk respektohet më në kryeqytetet perëndimore, një lider i izoluar që përpiqet të maskojë dështimin me foto folklorike e fjalë boshe. Por mbi të gjitha, është një alarm për Kosovën: a mundet një komb që beson në Zot, në familje, në atdhe dhe në ligj të përfaqësohet nga një njeri që ka sharë Zotin si “gjygym” dhe profetin si “beduin pa shkollë e bari”?
Kjo nuk është më thjesht një turp diplomatik. Kjo është një kërcënim kombëtar.