Albin Kurti: Sulmi në Ibër-Lepenc erdhi nga Serbia, aktakuza e vërteton
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi të martën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor 2024.
Kurti ka deklaruar se hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, kanë siguruar prova se tre të akuzuarit, shtetas serbë, kanë qenë në vendin e ngjarjes në natën kritike.
“Që në orët e para pas shpërthimit, në bazë të informatave nga institucionet e sigurisë, kam deklaruar se sulmi ka ardhur nga Serbia. Sot, aktakuza dhe provat e siguruara e dëshmojnë këtë”, ka thënë Kurti.
Ai ka falënderuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe Byronë Federale të Hetimeve (FBI) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për, siç ka thënë, punën profesionale në zbardhjen e këtij rasti.
Sipas Kurtit, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë të lidhur me Milan Radoiçiqin dhe me struktura të tjera shtetërore serbe, të cilat dyshohet se kanë planifikuar dhe urdhëruar sulmin terrorist.
Ai ka kritikuar autoritetet serbe për, sipas tij, mohimin e përgjegjësisë dhe përpjekjet për dezinformim të opinionit përmes veprimeve hibride.
“Rasti dëshmon se në Kosovë terrorizmi nuk kalon pa ndëshkim dhe se dezinformimi do të dekonstruktohet”, ka theksuar Kurti.
Në fund, kryeministri në detyrë ka ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë në krye me SHBA-të dhe qytetarët për kontributin në sigurinë e vendit.



