Albini që e kam njohur unë do të reagonte, ky i zënë peng nga kryeministri, s’e di
Visar Ymeri, nga partia PSD, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë ajo që para disa vitesh e ka kundërshtuar ashpër procesin e privatizimit. Andaj ai ka thënë se sot ky subjekt, në të cilin një kohë ka qenë kryetar i saj, është dashur të dalë me një reagim pas ngritjes së aktakuzës ndaj 19 personave, në mesin e tyre janë katër ish-ministra.
“Flamujt politikë të përfshirë kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Kemi një përbashkim dhe do të kisha uruar që asnjëra prej palëve të mos ketë ndërhyrje. Nëse e shohim në historikun e vonë ka pasur raste kur mund të dyshohet se ka pasur ndërhyrje politike për shpallje të pafajshëm të personazheve”, ka thënë ai në “Klan Kosova”.
“Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti dhe të tjerët e trashëgojnë dhe gëzojnë popullaritetin e LV-së të ndërtuar ndër vite. Kundërshtimi ndaj privatizimit, negociatat me Serbinë… të heshtet sot – nuk kam parë ndonjë reagim, është e çuditshme dhe ka shumë hapësirë për të reaguar.
Për mua, përveç reagimit publik, reagimi më i mirë që mund ta bënte LV-ja është furnizimi i Prokurorisë me dokumentacion lidhur me këtë rast”, ka thënë Ymeri.
Ai ka thënë se Kurti i dikurshëm, siç është shprehur Ymeri, do të reagonte pas një zhvillimi të tillë.
“Kritika e LV-së karshi procesit të privatizimit ka pasur bazë të fortë. Albini që e kam njohur unë do ta bënte, ky që është zënë peng nga kryeministri nuk e di. Mund të reagojë nesër, pasnesër, por do të duhej të reagonte”, është shprehur Ymeri.


