
Albright: Jam mirënjohëse ndaj Kosovës e Shqipërisë për ofrimin e strehimit për afganët
Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright ka falënderuar shtetet që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehimin e mijëra afganëve.
Përmes një postimi në Twitter, Albright ka thënë se duhet të përqendrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan.
“Ne duhet të përqendrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët të ndjekin këtë shembull”, ka shkruar Albright.
Ndryshe, institucionet në Kosovë janë shprehur të gatshme të strehojnë qytetarët afganë, pas komunikimeve që ata thonë kanë pasur me autoritetet amerikane.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo thotë se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.
Ndërkaq, Shqipëria konfirmoi të dielën, më 15 gusht, se i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara për strehimin e afganëve, derisa atyre t’u përfundojë procesi i miratimit të vizave amerikane.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se “pa diskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria.