Albulena Haxhiu kërkon nga BE avancimin drejt statusit të vendit kandidat

30 qershor 2026 | 12:53

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Valentina Superti, e cila po qëndron për vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë. Sipas njoftimit të Presidencës, Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për zhvillimin e Kosovës, duke theksuar se kjo mbështetje është shndërruar në forcim të institucioneve demokratike, zbatim të reformave dhe konsolidim të orientimit evropian të vendit. Ajo theksoi se Kosova ka mbajtur një kurs të qartë në procesin e reformave evropiane, është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe po zbaton me seriozitet obligimet që dalin nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes. Gjatë takimit, Haxhiu kërkoi që progresi i Kosovës të marrë një përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian, përmes avancimit drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim. Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe fuqizimin e bashkëpunimit rajonal mbi parimin e barazisë. Haxhiu theksoi se Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet e tjera të rajonit, sa i përket përfaqësimit, lidhjeve infrastrukturore, tregtisë, digjitalizimit dhe qasjes në iniciativat e tregut të përbashkët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës…