
Albulena Haxhiu për dorëheqjen e Aliut: Nuk e di nëse është ende në VV
Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk mendon se arsyeja e dorëheqjes së Liburn Aliut nga Qeveria është zgjedhja e Dimal Bashës si Kryeparlamentar.
Haxhiu ka thënë se nuk e di nëse Aliu është dorëhequr edhe nga Vetëvendosja, shkruan Reporteri.net.
“Nuk ka qenë momentum i duhur në këtë moment e as arsyeja. Nuk është që e kam parë së fundi…As nuk ka qenë momenti e as nuk mendoj se kjo duhet të jetë arsyeja për t’u dorëhequr nga Qeveria”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo tha se me Aliun nuk është parë së fundi, e as në postim ai nuk ka treguar nëse është ende në VV. Sipas saj, Aliu do të duhej të ishte pjesë e Qeverisë, teksa tha se e vlerëson kontributin që e ka dhënë ai për partinë.
“Nuk e di sa i përket Vetëvendosjes, a është larguar nga Vetëvendosja. Të paktën prej postimit që e ka pasur, aty nuk e ka përmend. Nuk kam informacione duke pas parasysh se nuk e ka përmendur aty. Ne flasim natyrisht, por janë disa çështje që s’thuhen. Janë çështje të brendshme…diskutime që janë të natyrshme”, tha Haxhiu.
Ndryshe, Aliu dha dorëheqje javën e kaluar, e si arsye e dha pikërisht zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit.