Aleanca Shqiptare, e dyta në Graçanicë, Ajeti: Do të kemi zë më të fortë

13 tetor 2025 | 10:05

Zgjedhjet Lokale 2025 sollën një rezultat historik në Komunën e Graçanicës, ku Aleanca Shqiptare arriti të sigurojë 2,635 vota, ose 23,15 për qind të mbështetjes.

Kjo shënon herën e parë që partitë shqiptare garuan të bashkuara në një listë të vetme, duke arritur të pozicionohen si forca e dytë politike në një komunë me shumicë serbe.

Pavarësisht se Lista Serbe mbeti fituese me 7,120 vota, Aleanca Shqiptare arriti një rritje të ndjeshme të përkrahjes, duke shënuar një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve në këtë komunë.

Kandidati për kryetar, Leutrim Ajeti, u shpreh mirënjohës për besimin e dhënë nga qytetarët dhe për përkushtimin e vullnetarëve gjatë fushatës zgjedhore.

“Falënderim i veçantë për kandidatët për asamble dhe vullnetarët që s’u ndalën asnjëherë gjatë këtyre dy muajve. Aleanca Shqiptare është projekti i parë që i bëri gjithë shqiptarët bashkë në një komunë me shumicë serbe – dhe do të vazhdojë kështu, sepse vetëm bashkë do të arrijmë suksese”, ka shkruar Ajeti në Facebook.

Ai shtoi se ky rezultat përbën “një moment historik” për shqiptarët në Graçanicë, duke theksuar se tashmë Aleanca do të ketë përfaqësim më të gjerë dhe përgjegjësi më të mëdha në institucionet komunale.

“Projekti i Aleancës Shqiptare do të vazhdojë të jetojë, sepse vetëm bashkë mund të rritemi dhe të triumfojmë politikisht në Komunën e Graçanicës”, përfundoi Ajeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot do të nisë numërimi i votave për asamblistët. Zëdhënësi…