
Ali Ahmeti: Amerika mbetet aleati ynë më i fuqishëm
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot ka realizuar një takim pune me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Kejt Bërns.
Ahmeti i ka thënë ambasadores Bërns se bashkëpunimi i suksesshëm me ShBA-të do të vazhdojë edhe në të ardhmen edhe atë në drejtim të realizimit të qëllimeve të përbashkëta me Republikën e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Ahmeti me këtë rast ka falënderuar ambasadoren Bërns për ndihmat mjekësore që Amerika i ka dërguar deri më tani Maqedonisë së Veriut me qëllim përballimin sa më të lehtë të situatës së krijuar me Pandeminë e shkaktuar nga Covid-19.
Kryetari i BDI-së, Ahmeti dhe ambasadorja e ShBA-ve, Bërns gjithashtu gjatë takimit kanë biseduar edhe mbi arritjet e Maqedonisë së Veriut sa i takon integrimit euroatlantik, duke përmendur këtu marrëveshjen me Athinën dhe Sofjen si dhe drejtimin e vendit drejt BE-së.
Ahmeti gjithashtu ka përshëndetur Marrëveshjen e Uashingtonit midis Kosovës dhe Serbisë bashkë edhe me njohjen e ndërsjellë midis Izraelit dhe Kosovës si dhe përcaktimin e Hezbollahut si organizatë terroriste.
Në fund të takimit ambasadorja Bërns theksoi se Uashingtoni do të vazhdojë ta përkrahë Republikën e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e reformave të nevojshme por shumë të rëndësishme me qëllim mbisundimin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve në mënyrë të paanshme dhe të pavarurа.
(F.D / Epoka e re)