Ali Ahmeti anulon të gjitha aktivitetet partiake në ditën e fundit të fushatës, do të marrë pjesë në protestën për UÇK-në në Tiranë

02 tetor 2025 | 11:21

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka njoftuar se kryetari i këtij subjekti politik, Ali Ahmeti, do të marrë pjesë në protestën e radhës kundër Gjykatës Speciale, e cila do të mbahet më 17 tetor në Tiranë.

Përmes një njoftimin, BDI-ja ka bërë me dije se Ahmeti për këtë ditë ka anuluar të gjitha aktivitet për fushatën e zgjedhjeve të 18 tetorit.

“Bashkimi Demokratik për Integrim njofton opinionin publik se Kryetari i saj, z. Ali Ahmeti, më 17 tetor, në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, ka vendosur të anulojë të gjitha aktivitetet e planifikuara partiake dhe të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare në Tiranë, të thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Protesta do të mbahet në sheshin ‘Skënderbej’ të Tiranës, duke filluar nga ora 17:00, me moton: ‘Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë’. Ali Ahmeti, i cili ishte i pranishëm edhe në protestën e organizuar në Prishtinë, në cilësinë e bashkëthemeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka pranuar ftesën e organizatorëve për të qenë pjesë e kësaj proteste të madhe mbarëkombëtare”, është thënë në njoftimin e BDI-së.

Më pas, ky subjekt politik ka theksuar se drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të ndërtohet mbi procese politike të imponuara nga Rusia dhe as mbi “dëshmi” të fabrikuara.

“Për BDI-në dhe Kryetarin e saj, lufta e popullit shqiptar e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë, e domosdoshme dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike, perëndimore dhe liridashëse. Paslufta dhe proceset e panumërta gjyqësore, vendore e ndërkombëtare, kanë dëshmuar qartë çiltërsinë e asaj lufte për liri, demokraci dhe pavarësi. BDI-ja thekson se drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të ndërtohet mbi procese politike të imponuara nga Rusia, as mbi ‘dëshmi’ të fabrikuara nga Serbia. Kryetari Ali Ahmeti është pjesë e pandarë e luftës për lirinë e kombit shqiptar dhe për këtë arsye mbështet fuqishëm protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, duke anuluar të gjitha aktivitetet partiake zgjedhore”, është thënë në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur edhe sot (e enjte) dëshmia e ish-zëvendësit të…