Ali Ahmeti duhet të përkrahet nga të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë

29 janar 2024 | 14:13

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

A është Talat Xhaferi shqiptar sipas Bekim Qokes dhe VV-së: Pas  nënshkrimit të koalicionit midis LSDM-së dhe BDI-së, njëra ndër pikat ishte që BDI-ja në 100 ditët e fundit të qeverisjes të udhëheqë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht që kandidati i propozuar nga kjo parti ta caktojë kryeministrin e qeverisë teknike, deri në zgjedhjet e muajit maj të këtij viti. Kjo ishte një marrëveshje e cila edhe mund të mos përfillej nga partneri qeverisës, LSDM-së. Partitë tjera maqedonase, të pamësuara që shqiptarët mund të udhëheqin institucionet më të larta shtetërore, që në fillim e kundërshtuan duke deklaruara se gjatë kohës sa kryeministri të jetë shqiptar, Maqedonia e Veriut është me qira në shtetin e vet. Edhe e majta ekstreme maqedonase kundërshtuan këtë transicion 100-ditësh. Deri këtu asgjë nuk është për t’u befasuar po mos të ishin partitë opozitare të mbledhura rreth “Grupit të Zjarrit”, që proklamojnë një patriotizëm të fortë shqiptar e që këtë ia mohojnë BDI-së. Prandaj edhe u ndanë, jo për të rivalizuar LSDM dhe VMRO-DPMNE por për ta detronizuar Ali Ahmetin që nënkupton se luftën personale e kanë vënë mbi interesin e përgjithshëm, nëse edhe e kanë një interes të tillë. U lakuan disa emra për kryeministër 100 ditësh dhe fjalën e fundit e kishte Ali Ahmeti duke u përcaktuar për Talat Xhaferin, kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë  së Veriut, ish eprorin profesionist e që u bë edhe ushtar – epror i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare si Komandant “Forina” gjatë luftës në këtë shtet që ende ka shumë për të bërë në rrugëtimin e integrimit evropian. Familjarisht jam i lidhur me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për më shumë se 40 vite dhe e njoh mirë gjendjen e tyre atje, që nga vitet e ’80-ta. Edhe në llogoret e Kroacisë ishim në vujatje të dënimit me patriotë shqiptarë nga ky shtet si; Tahir Hani nga Veleshta e Strugës, Zeqir Emini nga Kërçova, Zaim Beqiri nga Shipkovica e Tetovës,  Bejtullah Ademi – Demokrati nga Reçica e Madhe e Tetovës dhe Asllan Reshiti nga Tetova. Të gjithë shokë të jashtëzakonshëm dhe politikisht të pregatitur që ishin organizuar edhe para demonstratave të vitit 1981. Këta vepruan në të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët kurse shkollimin e kishin përfunduar kryesisht në   Kosovë. Ali Ahmetin e kam njohur personalisht përmes Tahir Hanit ndonëse kam pasur informata të shumta për aktivitetin e tij kombëtar nga shokët që ishin në grup me të dhe që ishin dënuar bashkë me Ali Ahmetin – Abazin apo Cimën. Zaim Beqiri, bashkë me vëllezër, nënën dhe motrën, me armë kishin kundërshtuar policinë jugosllave – maqedonase dhe të gjithë ishin të arrestuar. Edhe Rafi Halili kishte qëndruar ballë policisë i armatosur deri sa ishte plagosur rëndë. Viteve të ’80-ta gjendja e shqiptarëve në Maqedoni ishte tepër e rëndë, më e rëndë se e shqiptarëve në Kosovë. Pastaj, patriotët shiptarë nga Maqedonia kryesisht e zhvillonin aktivitetin ilegal politik në Kosovë me shpresë se, sipas një automatizimi të projektuar nga ata se; “nëse zgjidhet çështja e shqiptarëve në Kosovë, do të zgjidhej në tërë territorin e ish-Jugosllavisë..” e që nuk ishte e vërtetë. Shqiptarët në Maqedoni u shpërngulën masisvisht në Turqi, Amerikë dhe shtetet tjera, arsimi ishte vetëm për nivelet e ulëta me një orientim krejtësisht jugosllav kurse ndikimi i fesë ishte jashtëzakonisht i madh dhe i dëmshëm. Për hapjen e fakultetit në gjuhën shqipe dhe për Flamurin Kombëtar kishte të vrarë, të arrestuar dhe të dënuar kurse për ndërtimin e xhamive, jo që nuk kishte kundërshtim nga shteti por kishte përkrahje. Në një fshat, psh. Çegrani, si fshati  më i madh shqiptar në Maqedoni ishte plotësisht nën ndikimin e fesë dhe të politikës jugosllave. Kur shkova atje për herë të parë pasi dola nga burgu në vitin 1983 për ta vizituar motrën, u përballa me një kolonë dasmorësh me mbi 50 vetura ku në veturën e parë ishte fotografia e Josip Broz – Titos,  ish-kriminelit dhe vrasësit të shqiptarëve, që nga kryengritja e Drenicës e deri kur iku nga kjo botë. Në institucionet e shtetit nuk kishte fare shqiptarë të punësuar e sidomos në institucione shtylla të shtetit. Menduh Thaçi dhe Arben Xhaferi e rritën farën e patriotizmit në Maqedoni farën e të cilit e kishin mbjellur ata që i përmenda më lartë dhe ata që me pushkë dhe gjak kundërshtuan okupimin e shqiptarëve e të cilët pastaj u bënë frymëzim për gjeneratat e Ali Ahmetit me shokë dhe të cilëve Ali Ahmeti, me shokë iu këndonte në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ditën kur Talat Xhaferi u votua për kryeministër të Maqedonisë së Veriut. Këta heronjë ishin frymëzim për patriotët e burgosur, për ata që me armë kundërshtuan dhe për ushtarët e të gjitha ushtrive çlirimtare në trojet ku jetojnë shqiptarët. Sigurisht se nuk mund të ishin frymëzim Kiro Gligorov, Llazar Mojsov, Llazar Kolishevski, Vanço Maihajllov apo dhunuesit e tjerë të vullnetit politik të shqiptarëve. Gjeneratave të reja, të brymosura me kulturën jugosllave, këto këngë që i ka kënduar dhe po i këndon Ali Ahmeti, Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Remzi Ademaj dhe patriotët tjerë mbase iu duken anakronike dhe dalë mode prandaj, në këtë prizmë e shohin edhe aktivitetin e tyre kombëtar dhe politik mirëpo po të mos ishte ky frymëzim, nuk do të ishte as liria, kjo që është sot. Këta e përqeshin Gjergj Fishtën, Dervish Shaqen, Bajrush Dodën, bijtë e Sefë Mleqanit që luftuan dhe ranë për liri, nuk e duan as Ilir Shaqirin kur i këndon trimërisë dhe lirisë. Kosmoplitanët jougosllavë që për mrekulli janë ankoruar në VV ende frymojnë nën këngët e “Bijello Dugme”, “Yu Grupa”, “Smak”, Zdravko Çolliq, Bajaga,  “Riblja Çorba”, Llepa Brena, Vesna Zmijanac, madje shkojnë edhe në koncert të vesë së Arkanit, Ceca Razhnjatoviq … Të tillët sot pyesin nëse Talat Xhaferi qenka shqiptar duke thënë se, po të ishte shqiptar, e para punës do të shkonte e do të përkulej para heronjve të rënë në Varrezat e Dëshmorëve të luftës çlirimtare në këtë shtat thuaja se këta, të udhëhequr nga Toger Qokja paskan bërë luftë të madhe ndonëse as edhe një plumb (qoftë edhe qorre) nuk e kanë shkrepur në këtë luftë. Kur të tillët pyesin nëse Talat Xhaferi qenka shqiptar dhe nëse përfaqëson shqiptarët duhet seriozisht të ndalemi dhe të pyesim: “vërtetë pafytarysia i ka kapur këto maja ..”? Cili është qëllimi i këtyre pohimeve të përçundnuara dhe jonormale?! Pse e lejon KM i Kosovës që një ikanak nga fronti i betejës politike në Maqedoni të Veriut, nga Kosova vjell vrerë kundër kryeministrit të parë shqiptar në këtë shtet dhe, duket se nuk paska mbledhur mend me rastin e përpjekjes së zyrtarizimit të VV-së, si shtylla e katërt (aq i kishte UNMIK-u në Kosovë) të “opozitës” në Maqedoni. Pastaj sikur u zbythë por përmes një Qokes që e ka këshilltar, në vazhdimësi po punon kundër interesave të shqiptarëve në Maqedoni. Pas ndërhyrjes në Maqedoni dhe kur të gjithë e kundërshtuan, KM i Kosovës e dërgoi për takim me Ali Ahmetin një bedel (Liburn Aliun) për ta zbutur gjendjen. Po të ishte një udhëheqës inatçor shqiptar e jo një politikan i pjekur siç ishte Ali Ahmeti, Liburn Aliut nuk duhej t’i hapej fare dera e takimit. Mirëpo, liderët e vegjël merren me konspiracione, ndërskëmëza, goditje nën brez vetëm për qëllime personale kurse burrështetasit e tejkalojnë egonë personale për ineteres të përgjithshëm, jo vetëm të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni por për interes të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. Këtë e bëri edhe Ali Ahmeti dhe këtë nuk e bëri Albin Kurti e as kipci i tij, Liburn Aliu.

Ali Ahmeti nuk bëri asgjë të keqe me rastin Talat Xhaferi, përkundrazi: Pas një kohe apo distance historike dhe kur vlerësimet do të bëhen me koka të ftohëta dhe mbështetur në fakte, sa i përket realizimit të të drejtave për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut koha do të llogaritet sipas ndarjes, para dhe pas Ali Ahmetit  sikur koha para dhe pas Krishtit. Me të gjitha lëshimet e Ali Ahmetit, për mua ishin vetëm taktike për të arritur një fitore strategjike, Aliu mbetet lideri i pakapërcyeshëm i shqiptarëve në Maqedoni dhe jo vetëm në Maqedoni të Veriut.  Si një barazpeshues në trapez, e mbajti barazpeshën midis të së dëshirueshmës dhe të së mundshmës duke e nxjerrë maksimunmin prej ofertave që i kishte në tavolinë të bisedimeve. Faktorizoi shqiptarët sikur që defaktorizoi sundimin mbi baza etnike të maqedonasve duke dalë nga vetkënaqësia e kërkesave minimaliste me të cilat ishin përshtatur garniturat e mëparshme politike shqiptare. Asgjë nuk bëri pa u konsultuar me shtetin shqiptar sikur edhe me komunitetin vendimmarrës ndërkombëtar. Dhe, deri më tani nuk i doli keq. Asnjëherë nuk u ligështua e të distancohej nga lufta, me luftën edhe sot krenohet. Asnjëherë nuk hoqi dorë nga bashkëluftëtarët dhe bashkëvuajtësit e luftës dhe të burgjeve, ndjehet pjesë e tyre shpirtërisht, politikisht, kombëtarisht dhe fizikisht. Kryeministri shqiptar 100 ditësh është zotim para votuesve dhe zotim para qytetarëve, këtë e realizoi. Kurrë nuk ka thënë se Talat Xhaferi është KM vetëm i shqiptarëve por i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Kurse, Besnik Qokja e thotë pikërisht të kundërtën, bashkë me Bilallin, Afrimin dhe Izetin e “Grupit të Zjarrit”. Merreni me mend, ky farë mendermethënë “Grupi i Zjarrit” do me i vënë flakën shqiptarëve për inat të Ali Ahmetit i cili, hollë-hollë mund të llogaritet si Baba Politik i tyre. Është e vërtetë se pozicioni dhe fuqia vendimmarrëse e Talat Xhaferit është simbolike por nuk duhet të harrohet se dikur edhe për simbolikë shqiptarët në Maqedoni të Veriut  arrestoheshin, torturoheshin, dënoheshin dhe vriteshin. Deri në kohën e Ali Ahmetit kur simbolika u materializua me një post të rëndësishëm politik. Se Talat Xhaferi është shqiptar dhe kombëtar, nuk e kam asnjë mëdyshje po çka është dhe kënd e përfaqëson Besnik Qokja që po e vë në dyshim përkatësinë kombëtare dhe angazhimin politik të Talatit, pa e treguar të kaluarën e tij, politike, kombëtare, nëse e ka.

Po pse kjo tullmhane pikërisht tash dhe në këtë kohë: Në Maqedoni të Veriut në maj mbahen zgjedhjet e përgjithshme në të cilat mendoj se VMRO-DPMNE do të fitojë, si parti maqedonase. Ata kanë nevojë për një parti shqiptare pa të cilën nuk mund ta formojnë qeverinë. Dhe në këtë hapësirë grupi i Bilall Kasamit, me barot të lagur të “Grupit të Zjarrit” po i vetofrohet  VMRO-DPMNE, si një partner koalicioni përmes luftës ndaj BDI-së të cilën e identifikon me Ali Ahmetin me të cilin edhe duan ta bëjnë luftën. Realisht, kjo i gjason luftës së Don Kishotit me mullinjtë e erës. Bilall  Kasami, Izetin e konsideron si Sanço Pançon e Mançës me të cilin e ka të qartë se do e humbë këtë luftë, ende pa e filluar. Përkrahja e Albin Kurtit dhe VV-së nuk është se do t’ju sjellë shumë vota, në fillim mendoja se edhe mund të fitojnë diçka, madje edhe të Trashët e Surlës mirëpo bojkotimi i votimit të Talat Xhaferit i ka shndërruar në një gozhdë të ndryshkur në arkivolin ku do të varroset kjo nismë. Albinit as që i bëhet vonë për këtë, gjithmonë e ka një buxhet të ndarë për rrogëtarët e bindur sikur që ishte rasti me Besnik Qoken. Po të njëjtin trajtim ua bënë “legjionarëve të Luginës” që i paguan si përkrahës të Shaip Kamberit dhe Besnik Bislimit. Në Shqipëri, “I Gjati” i preu 100 metra pa iu afruar pragut zgjedhor, në Luginë, Shaipi po ia ushqen egon e të qenit Baba i Kombit kurse në Maqedoni të Veriut i bëhet qartësimi i atësisë, nëse fiton mund të konsiderohet në masën 40 për qind të jetë në pespektivë Baba i Shqiptarëve. Me votat e fituara në zgjedhjet e fundit në Kosovë e ka fituar epitetin e të qenit Baba i Kosovarëve. Po i presim zgjedhjet dhe rezultatet në Maqedoni të Veriut që të kuptojmë nëse Shaip Kamberi do të mbetet Mohikani i Fundit i Albin Kurtit në kartën e tij të djegur të panshqiptarizmit apo se tregu politik ndërkombëtar do të pësojë ndryshime të mëdha me futjen në lojë të Besnik Qokes, pas së cilës Ukraina, Gaza dhe kriza në Ballkan do të mbetet lojë fëmijësh!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i njohur shqiptar, Loret Sadiku është rikthyer në futbollin…