
Ali Ahmeti: Kurti po përkrah hapur politikën anti-shqiptare të Kristian Mickoskit
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se Albin Kurti ka marrë anën e Kristian Mickosit në Maqedoninë e Veriut dhe se ‘nuk e kupton se çka po e shtynë ta bëj këtë’.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Ahmeti ka thënë se Kurti po përkrah politikën anti-shqiptare të Mickoskit. “Përse Albin Kurti merr anë? Në këtë situatë Albin Kurti ka marrë anë dukshëm, që mua nuk më pengon, le të marrë anë sepse politikat e mia janë ndryshe në aspektin e politikave kombëtare. Unë kam bashkëpunuar me të gjithë politikanët në të gjitha vendet shqiptare, sepse neve si shqiptarë në Maqedoninë e Veriut na duhen raporte të mira me të gjithë shqiptarët. Albini ka marrë anë që në mënyrë indirekte, duket hapur në mbështetje të politikave anti-shqiptare të Mickosit”, ka theksuar Ahmeti në këtë intervistë.
Ai ka listuar disa nga nismat, që sipas tij, ka ndërmarrë Mickoski si ‘politikë anti-shqiptare’. “Përderisa Hristjan Mickoski del hapur kundër Korridorit 8, e më vonë thotë është vepër shumë e madhe, por dy muaj televizionet në Maqedoni janë marrë me korridorin 8, dhe ka qenë shumë irrituese për shqiptarët, derisa del në fushatë presidentja dhe kërkon hapjen e lëndëve në Tribunalin e Hagës për udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) – pra kërkesë e presidentes, kjo do të thotë të gërvishësh plagë të vjetra. Këto çështje ne i kemi mbyllë, Tribunalin e kemi mbyllë. Amnistia e UÇK-së dhe policisë e ushtrisë së shtetit, është mbyllur, të gërvishësh mbi plagë të vjetra, këto dhëmbin”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka thënë se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë ‘të irrituar nga deklaratat e Albin Kurtit për çështjen e gjuhës shqipe’. “Çka mund të them unë është që shqiptarët në Maqedoni janë tepër të irrituar nga deklarata e kryeministrit të Kosovës ku ai deklaron se gjuha shqipe kurrë nuk ka qenë zyrtare në Maqedoni dhe revoltën që krijoi pa masë te shqiptarët. Anti-shqiptarët më të mëdhenj në Maqedoni e kanë mbajtur një muaj rresht në ekranet televizive, ja deklarata e kryeministrit të Kosovës”.
Ahmeti ka thënë se ka pasur takime të gjata e shteruese me Albin Kurtin, por se ‘nuk e kupton se ka çka e ka shtyrë që kaq hapur të prononcohet pro VLEN-it’. “Unë kam pasur takime më herët me z. Kurti. E kam patur në selinë time me orë të tëra, pesë orë, gjashtë orë. Kam biseduar të gjitha çështjet e politikave të brendshme, rajonale. Unë kam folur pa rezervë, se çka e ka shtyrë zotin Kurti që kaq hapur të prononcohet dhe të marrë anë në drejtim të VLEN-it, që tani është LEN sepse është copëtuar”, ka deklaruar Ahmeti.
Para pak ditësh, Hysen Durmishi, një nga figurat kyqe të Lëvizjes Vetëvendosje mori pjesë në një nga aktivitetet e VLEN-it në Maqedoninë e Veriut, në përkrahje të tyre.