
Ali Ahmeti: Liria jonë nuk gjykohet, UÇK-ja ishte në anën e drejtë të historisë
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka marrë pjesë sot në protestën në Prishtinë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-pjesëtarëve të saj që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.
Ahmeti theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike, duke nënvizuar se përpjekja për të ndërtuar drejtësinë mbi akuza politike dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia është e papranueshme.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike. Drejtësia për shqiptarët nuk mund të ndërtohet mbi akuza politike e dëshmi të fabrikuara nga Serbia e Rusia,” deklaroi Ahmeti.
Sipas tij, pjesëmarrja masive e qytetarëve në këtë protestë është dëshmi e qartë se populli shqiptar nuk e pranon që liria e fituar me gjak të vendoset në bankën e të akuzuarve.
“Sot në Prishtinë, bashkë me mijëra qytetarë, dëshmuam edhe një herë se liria jonë nuk gjykohet! Lavdi UÇK-së!” – përfundoi ai.