Ali Ahmeti mbështet Marshin “Drejtësi, jo politikë”
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të takimeve me veprimtarë të çështjes kombëtare dhe përfaqësues politikë shqiptarë në rajon.
Vizita e parë u realizua me Ali Ahmetin, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të cilin përfaqësuesit e platformës e informuan lidhur me misionin e “Liria ka Emër”, aktivitetet e deritanishme dhe mobilizimin qytetar për Marshin e madh “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë. Ky marsh synon të shprehë mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
Gjatë takimit, Ali Ahmeti theksoi rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj çështjeje, duke vënë në pah se drejtësia për çlirimtarët përbën pjesë të pandashme të dinjitetit kolektiv të shqiptarëve.
“Lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, e domosdoshme dhe historikisht e pastër. Ata që udhëhoqën dhe mbrojtën këtë luftë nuk mund të mbahen peng i padrejtësive politike. Vendi i tyre është në shtëpi, pranë familjeve dhe popullit të vet, dhe ata duhet të kthehen sa më parë”, deklaroi Ahmeti.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, tha se mobilizimi qytetar po rritet çdo ditë dhe se marshi i 17 shkurtit do të jetë shprehje e një zëri të fuqishëm dhe gjithëpërfshirës.
“Ky marsh nuk është kundër askujt, por në mbrojtje të drejtësisë. Po ndërtojmë një mobilizim të madh qytetar, brenda dhe jashtë Kosovës, sepse kjo është një kauzë që i tejkalon partitë dhe kufijtë”, u shpreh Hoxha.
Ndërkohë, Ismail Tasholli vuri në dukje dimensionin gjithëkombëtar të kësaj thirrjeje, duke theksuar se mbështetja nga liderë dhe veprimtarë shqiptarë në rajon e forcon mesazhin e platformës.
“Drejtësia për çlirimtarët është çështje kombëtare. Mbështetja nga shqiptarët në rajon dhe diasporë dëshmon se kjo kauzë është e përbashkët dhe se zëri qytetar duhet të dëgjohet qartë në këtë fazë përfundimtare të procesit në Hagë”, tha Tasholli.
Platforma “Liria ka Emër” ka bërë të ditur se do të vazhdojë vizitat dhe takimet me përfaqësues politikë, shoqërorë dhe komunitete shqiptare në rajon dhe diasporë, duke bërë thirrje për mobilizim të gjerë qytetar dhe gjithëkombëtar për pjesëmarrje masive në Marshin “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt në Prishtinë.



