
Ali Ahmeti përkujton komandant Kumanovën: Flakadan që ndriçoi rrugën e UÇK-së
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti, ka kujtuar heroin e kombit, Ismet Jasharin-Kumanova, në 27-vjetorin e rënies së tij.
Përmes një postimi në “Facebook”, Ahmeti ka thënë se vepra e Jasharit ishte flakadan që ka ndriçuar rrugën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka frymëzuar shqiptarët kudo për t’u bashkuar në kauzën kombëtare.
“27 vjet pa heroin e kombit, Ismet Jashari-Kumanova. Sot kujtojmë jo vetëm një luftëtar të lirisë, por një shok veprimtarie, një mik të pathyeshëm dhe një njeri që nuk e njihte frikën. Ismeti ndër të parët iu përgjigj thirrjes për liri që vinte nga Kosova, duke u bërë shembull sakrifice dhe guximi”.
“Vepra e tij ishte flakadan që ndriçoi rrugën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe frymëzoi shqiptarët kudo për t’u bashkuar në kauzën kombëtare. I përjetshëm qoftë kujtimi për Komandant Kumanovën dhe për të gjithë dëshmorët e kombit!”, ka shkruar Ahmeti.