
Ali Ahmeti prezanton logon e re për zgjedhjet lokale
“Me logon e re të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) hyjmë të bashkuar në zgjedhjet e tetorit”, ka shkruar në “Facebook” kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ai ka thënë se sot “jetojmë në kohë jo të lehta dhe ne shqiptarët respektohemi gjithnjë e më pak nga qeveria aktuale, e cila nuk ka legjitimitet etnik shqiptar. Por edhe pse kohët janë të vështira, ne në BDI nuk e harrojmë kurrë destinacionin europian ku duam të arrijmë. Sot nevojitet bashkim, më së pari mes gjithë shqiptarëve, që duhet të bëhen bashkë për njëri-tjetrin, por edhe mes të gjithë atyre që nuk dorëzohen lehtë dhe që besojnë se në vendin tonë mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”.
“E teksa bashkohemi, të mos harrojmë mësimet e së kaluarës së hidhur dhe ta mbajmë gjithmonë në mendje se e ardhmja jonë është integrimi në familjen e madhe europiane. Kjo është besëlidhja e fitores, e besimit dhe e integrimit europian. Duart e bashkuara janë mesazhi ynë: vetëm së bashku ndërtojmë të ardhmen që meritojmë”, ka shkruar Ahmeti.