Ali Ahmeti uron Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit

29 dhjetor 2025 | 10:29

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e arritur në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në mesazhin e tij të urimit, Ahmeti ka përgëzuar qytetarët e Republikës së Kosovës për procesin zgjedhor, duke vlerësuar se ata dëshmuan maturi dhe pjekuri të lartë demokratike. Sipas tij, zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të lirë, të ndershme dhe plotësisht demokratike, në përputhje me standardet evropiane, duke konfirmuar forcën e institucioneve dhe vullnetin e lirë të qytetarëve.

“Urime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e shënuar. Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe një vizion të qartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve të saj,” ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e forcimit të aleancës strategjike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si rrugën që garanton paqe, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt për brezat e ardhshëm.

“Kosova e lirë, e fortë dhe e zhvilluar ka qenë dhe mbetet ëndrra jonë e përbashkët,” ka përfunduar Ahmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas publikimit të…