
Ali Lajçi ishte prijës i demonstrata që ia lëkundën themelet shtetit artificial i quajtur Jugosllavi
(Fjalë e lexuar nga Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës, Shefik Sadiku në Akademinë përkujtimore e mbajtur në sallën e kuqe, Pallati i Rinisë)
Të nderuar familjarë të Ali Lajçit, të nderuar bashkëvuajtës dhe bashkëveprimtarë, shokë, miq e dashamirë që merrni pjesë në këtë mbledhje përkujtimore kushtuar shokut tonë, Ali Lajçit! Të nderuar, z.Albin Kurti, Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të burgosurit politikë, të anëtarësuar në Shoqatën e të Burgosurve Politikë, janë të pikëlluar për ndarjen nga ne të shokut tonë të vuajtjeve e të idealit kombëtar, Ali LAJÇIT. Aliu ishte njëri ndër prijësit kryesorë të demonstratave të fuqishme të vitit 1981, demonstrata që ia lëkundën themelet shtetit artificial i quajtur Jugosllavi. Për rolin e tij në këto demonstrata, të cilat morën epitetin e Pranverës Shqiptare 81, regjimi titist e dënoi me 15 vjet burg politik, nga të cilat i mbajti 10 vite e 4 muaj. Si veprimtar i dalluar atdhetar është dënuar edhe në vitin 1993. Ali Lajçi ishte ndër veprimtarët më të vjetër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë. Në Kuvendin e Parë të Shoqatës sonë, i mbajtur në muajin maj të vitit 1997, Aliu është zgjedhur nënkryetar i Shoqatës. Ndërsa në Kuvendin e fundit, në vitin 2023, është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Shoqatës. Jemi krenar që shoku ynë i burgut ka bartur edhe shumë funksione institucionale e shtetërore, siç është detyra e kryetarit të komunës së Pejës dhe i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke qenë edhe nënshkrues i deklaratës për Pavarësinë e Kosovës. Emri i Ali Lajçit me shokë ishin sinonim, frymëzim i Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëthemelues të saj. Ali Lajçi do të kujtohet përherë nga anëtarësia e Shoqatës së të Burgosurve Politikë si një veprimtar i përkushtuar, që dha kontribut të çmuar për lirinë e Kosovës. Ai mbetet ndër zërat më të fuqishme për mbrojtjen e Kosovës dhe ndër figurat kryesore në historinë më të re të Kosovës.
Lavdi jetës dhe veprës atdhetare të Ali Lajçit!