Aliu: E gjeta komunën të zhytur në borxhe të mëdha

15 maj 14:44

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë me dije se e ka gjetur komunën në gjendje jashtëzakonisht të rëndë financiare.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se zhytjen në borxhe të komunës nga qeverisja e kaluar lokale e ka konstatuar edhe Qeveria e Kosovës.

Aliu ka deklaruar se me përkushtim të madh të ekipit të vet dhe mbështetjes së qeverisë qendrore, po ia del ta nxjerrë komunën nga kjo situatë e rëndë në borxhe.

Sipas tij, deri më tani ka arritur të paguajë një pjesë të borxhit komunal, i cili kap shifrën mbi 10 milionë euro.

Duke folur për qeverisjen e tij, Aliu ka thënë se tashmë qytetarët e kësaj komune kanë filluar t’i prekin rezultatet e saj.

“Epoka e re”: Z. Aliu, janë bërë disa muaj që keni marrë qeverisjen në Komunën e Ferizajt. Si po ju ecën qeverisja?
Aliu: Ne sapo kemi marrë mandatin. Në afatet më të shpejta të mundshme kohore kam bërë konstituimin e qeverisë lokale. Si kryetar komune jam betuar më 20 dhjetor dhe qysh të nesërmen kam prezantuar kabinetin qeverisës, në mënyrë që t’i përvishemi punës dhe angazhimeve që na kanë pritur dhe na presin. Kemi bërë një përzgjedhje të kuadrove kryesisht të rinj, profesional, që garantojnë cilësinë dhe efektivitetin në realizimin e platformës sime qeverisëse, e cila ka qenë fituese në zgjedhjet e fundit lokale. E kam zgjedhur këtë ekip në mënyrë që t’u përgjigjemi sfidave të mëdha. Në komunë kemi trashëguar një gjendje ndër më sfidueset në Kosovë.

“Epoka e re: Edhe më herët e keni kritikuar qeverisjen e kaluar. Në çfarë gjendje e gjetet Komunën e Ferizajt?
Aliu: Edhe sa ishim opozitë në Ferizaj kemi qenë ndër degët më aktive në vend. Qysh para dy vjetëve, gjatë një konference për medie, pata deklaruar se komuna po shkon drejt falimentimit, sepse shiheshin zhvillimet se si po shkonin në atë qeverisje. Fatkeqësisht, atë që e kishim paralajmëruar para dy vjetësh edhe doli të jetë. Madje gjendjen në komunë e gjetëm edhe më të rënduar sesa paramendonim pra sa iu përket ecurive financiare. Gjetëm komunën me gjendjen më të rëndë financiare në Republikën e Kosovës. Kjo gjendje është konstatuar edhe nga Qeveria e Kosovës, nga kryeministri, ministri i Financave dhe gjithë dikasteret përkatëse qeveritare. Ne kemi 10.56 milionë euro borxhe, 2.2 milionë prej tyre tashmë janë përmbaruar. Ndërsa vlera totale e borxheve që deri tash kemi shlyer ndaj operatorëve të ndryshëm është 4 milionë euro. Vlera e përgjithshme e kontraktimeve të projekteve në Komunën e Ferizajt pa mbulesë financiare që i ka bërë qeveria e kaluar është 14.8 milionë euro. Pra, kjo është një vlerë jashtëzakonisht e lartë e cila është vështirë të mbulohet nga komuna, duke pasur parasysh faktin se vetëm për investime kapitale vlera vjetore e një buxheti të Komunës së Ferizajt është 9 milionë euro. Pra, praktikisht i gjithë buxheti i komunës është projektuar për katër vjet të jetë i planifikuar për t’i zbatuar kontratat të cilat janë lidhur pa mbulesë financiare nga qeverisja e kaluar. Këtu nuk është vetëm çështja e borxheve që ka shkuar keq në Komunën e Ferizajt, as gjendja në fushat e tjera nuk ka shkuar si duhet, mirëpo ne jemi të vendosur që, përkundër kësaj situate të vështirë financiare, me punë dhe përkushtim t’ia dalim. Për këtë e kam edhe zotimin për mbështetje nga Qeveria Haradinaj, kryeparlamentari Veseli dhe ministrat e linjës. Kam besim të plotë se do të më mbështesin për tejkalimin e kësaj gjendje. Ata e kanë kuptuar drejt dhe qartë gjendjen e rëndë në të cilën gjendet Komuna e Ferizajt.

“Epoka e re”: Çfarë keni bërë ju si kryetar në fillim të mandati për ta nxjerrë komunën nga kjo gjendje që keni gjetur?
Aliu: Në radhë të parë ne kemi shtuar efikasitetin dhe efektivitetin në administratën komunale. Ne tashmë kemi të hyra vetjake 30 për qind më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kemi shtuar angazhimet tona në mënyrë që ta evitojmë sa më parë këtë gjendje. Sigurisht se në këtë drejtim as mbështetja e Qeverisë nuk ka munguar. Besoj se kjo mbështetje nuk do të mungojë për të na mbështetur në këtë drejtim. Qeveria është zotuar se do t’i mbështesë projektet e mia që i kam premtuar gjatë fushatës zgjedhore, të cilat i kam bërë pjesë të platformës qeverisëse. Kam nënshkruar memorandum për ta realizuar zotimin tim para qytetarëve të komunës për themelimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Me këtë rast, falënderoj ministrin Beqaj për nënshkrimin e një marrëveshje të tillë për ta hapur këtë qendër në Ferizaj. Po ashtu, kemi nënshkruar memorandume për disa projekte infrastrukturore me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe me ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi. Falë mbështetjes së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministrit Ramush Haradinaj, ministri Bedri Hamza dhe komisioneve parlamentare, unë i kam përfshirë projektet e mia në kuadër të kodeve buxhetore.

“Epoka e re”: Kjo i bie se raportet e juaja me qeverinë qendrore janë korrekte, ani pse kryeministri i vendit nuk është nga partia juaj?
Aliu: Absolutisht po. Raportet tona janë korrekte. Me kryeministrin Haradinaj jam takuar disa herë dhe ai e ka vizituar Komunën e Ferizajt. Po ashtu, edhe me ministra të caktuar jam takuar disa herë. Të gjithë ministrat që kanë të bëjnë me pushtetin lokal tashmë e kanë vizituar komunën tonë. Kështu që, mund të them se mes komunës sonë dhe qeverisë qendrore është një bashkëpunim jashtëzakonisht i mirë dhe frytdhënës sa i përket çështjes që lidhet me projektet e mia si kryetar i Komunës së Ferizajt. Me këtë rast, dëshiroj ta falënderoj Kuvendin, Qeverinë dhe gjithë ministrit e linjës për mbështetjen në këtë fazë. Po ashtu, dua të them se secilin projekt që deri tani e kam prezantuar në Qeveri më është miratuar dhe është pjesë e buxhetit.

“Epoka e re”: Ju keni qenë kryetar edhe në kohën kur kryeministër ka qenë ish-lideri i PDK-së, Hashim Thaçi. Ka ndonjë dallim në bashkëpunim mes asaj kohe dhe tash?
Aliu: Ju e dini se edhe në atë kohë kam pasur mbështetjen e Qeverisë. Pikërisht në atë kohë kemi bërë një kthesë në qeverisjen lokale. Pra, kemi shënuar një epokë të re në qeverisjen e Komunës së Ferizajt, sepse edhe atëherë të gjitha projektet e mia kanë qenë të mbështetura nga Qeveria Thaçi.

“Epoka e re”: Kur mund t’i prekin qytetarët rezultatet konkret të punës suaj në Ferizaj?
Aliu: Qytetarët e Komunës së Ferizajt tashmë mund t’i shohin disa rezultate të punës dhe angazhimit tonë. Unë jam marrë me çështjen e inspektoratit. Kam caktuar një koordinator të inspektoratit për faktin se Ferizaj nuk ka Drejtori të Inspektoratit. Përmes zgjedhjes së koordinatorit që funksionon në kuadër të kabinetit tim, kam fuqizuar inspektoratin komunal. Deri më tani kemi ndërmarrë veprime që janë të njohura për publikun dhe gjithë Kosovën. Kemi pasur aktivitete konkrete për ruajtjen e shëndetit publik të qytetarëve të Komunës së Ferizajt. Falë kësaj pune ne kemi gjetur me mijëra kilogramë mish dhe nënprodukte të mishit, të cilat kanë qenë të papërdorshme me afat të skaduar. Sot mund të themi se qytetarët e Ferizajt janë më të sigurt sa i përket konsumimit të ushqimit, sepse inspektorët komunalë në vazhdimësi kontrollojnë dyqanet. Së fundi, kemi marrë veprime për futjen e pemëve dhe perimeve brenda objekteve, sepse ato kanë qenë kryesisht të ekspozuara jashtë objekteve. Në këtë mënyrë kanë qenë të ekspozuara nga gazrat apo helmet e ndryshme, të cilat i kanë kontaminuar produktet e tilla. Ky aksion është duke vazhduar dhe mund të them se në 90 për qind të rasteve është ekzekutuar ky aksion. Gjithashtu, si rezultat të veprimit të inspektorëve kemi hequr të gjitha tezgat që kanë qenë në sheshin e Ferizajt. Po ashtu, u kam ofruar mundësi punësimi të gjithë pronarëve të këtyre tezgave. Si rezultat i kësaj pune sheshi tashmë u është kthyer qytetarëve. Tash së fundi jemi marrë edhe me vërshimet, ku i kemi bërë gati raportet për dëmet që u janë shkaktuar fermerëve dhe disa dëme në amvisëri. Këtë raport do ta dërgoj në Ministri të Bujqësisë në mënyrë që t’i kompensojmë dëmet që janë shkaktuar javë më parë nga një stuhi, e cila ishte jashtëzakonshme e përcjellë me erë, breshër dhe shira të fuqishme. Në këtë pranverë ne po hyjmë edhe në fazën e implementimit të projekteve, ku janë duke u zhvilluar tashmë procedurat e ndryshme të tenderimit dhe prokurimit.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja e Veriut do të ftojë gazetarët e Koresë së…