
Allegri: Jam këtu edhe për tri vitet e ardhshme
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri u shpreh i kënaqur për kualifikimin në finalen e Kupës së Italisë. Strategu italian theksoi se kritikat nuk janë me vend, ndërkohë që e ardhmja e tij do të jetë në Torino.
“Fituam si skuadër. Ata që luajtën nga fillimi dhe ata që hynë gjatë lojës bënë të gjithë mirë. Të gjithë kishin dëshirë të shkonin në finale, që ishte një objektiv i yni.
E ardhmja? Unë e shoh veten këtu për tre vitet e ardhshme. Tek Juventusi luftohet gjithmonë për të fituar. Më vjen shumë keq që humbëm përballjen direkte kundër Interit, sepse ajo ndeshje vendosi kampionatin tonë”, ka thënë Allegri.
“Duhet të përgëzoj djemtë sepse nuk ishte e lehtë të luaje përballë kësaj Fiorentine, pas kritikave që morëm pas barazimit me Bolognan. Tani duhet të rikuperojmë energji për kampionatin. Nuk mund ti kërkoj më shumë skuadrës. Kemi 4-5 muaj që luajmë me të njëjtët lojtarë. Për vendin e katërt, duke parë edhe kalendarin, Fiorentina është rivali ynë kryesor”, ka shtuar Allegri.