
Allegri: Objektivi kryesor është rikthimi në Ligën e Kampionëve
Ka nisur zyrtarisht aventura e dytë e Massimiliano Allegrit në stolin e Milanit. Trajneri kuqezi, i rikthyer pas 11 vitesh, u prezantua sot në konferencë për shtyp pas seancës së parë stërvitore në Milanello, duke folur për objektivat sezonal dhe vizionin e tij për skuadrën.
“Objektivi numër një është rikthimi në Ligën e Kampionëve, jemi një klub me emër botëror. Jam shumë i motivuar dhe i lumtur të jem sërish këtu. Duhet të jemi një bllok i vetëm, të gjithë në të njëjtin drejtim”, ka deklaruar Allegri.
Për sa i përket merkatos, tekniku u shpreh: “Nuk ka nevojë për revolucion. Jemi duke punuar me Taren dhe klubin. Theo bëri zgjedhjen e tij, i uroj më të mirat. Më 17 gusht kemi ndeshjen e parë zyrtare, duhet të jemi gati”.
Allegri konfirmoi se Mike Maignan do të jetë kapiten, ndërsa Leao zëvendës, dhe theksoi se moduli bazë do të jetë me 3 mesfushorë, por gjithçka do të varet nga karakteristikat e lojtarëve.
Sa i përket merkatos, Allegri i la gjithçka në dorë Igli Tares, por përmendi se është i kënaqur me grupin aktual prej 25 lojtarësh.
Në fund, një mesazh për tifozët: “Vetëm me punë të përditshme do të rifitojmë respektin e tyre. Duam t’u japim arsye për të na mbështetur. Milan është klub i madh dhe ne duhet të punojmë çdo ditë me pasion dhe përgjegjësi”.